Brad Pitt ka mohuar se është përfshirë me ndonjë nga femrat me të cilat e ka lidhur shtypi që nga ndarja e tij e vitit 2016 nga Angelina Jolie.
Ylli i “Once Upon a Time in Hollywood” tani është një nga meshkujt më të kërkuar holivudianë, dhe është lidhur me një mori yjesh, përfshirë Jennifer Lawrence, Sienna Miller, Kate Hudson dhe Charlize Theron, si dhe profesoreshën e arkitekturës Neri Oxman, shkruan KOHA Ditore.
Megjithatë, ai thotë se është gjithmonë i shokuar kur lexon në lidhje me romancën e tij të fundit kur has në ndonjë storie për jetën e tij të dashurisë.
"Nuk i shmang ata (artikujt e shtypit për të), por thjesht nuk i kërkoj”, thotë ai për “New York Times”. "Nuk e di për sa femra kanë thënë se jam në lidhje në dy ose tre vjetët e fundit dhe asnjë prej tyre nuk është e vërtetë."
Brad, 55-vjeçar, thotë se një incident i hershëm në të cilin ai e gjeti fytyrën e tij duke u përdorur si kuti mbeturinash për mace e kishte definuar qëndrimin e tij ndaj mediave.
"Kur e fillova karrierën time isha në ‘USA Today’", shpjegon ai. "Isha goxha i kënaqur me vetveten Dy ditë pasi doli gazeta, shkova në shtëpinë e një shoku. Në kuzhinë shikova poshtë dhe e pashë një kuti mbeturinash për mace - dhe ja ku ishte artikulli im në ‘USA Today’ me jashtëqitjen e maceve mbi të. Kjo e definon të tërën.”
Megjithatë, joshësi holivudian e pranoi se ai tani ndihet më rehatshëm me statusin e tij si një nga yjet më të dëshiruara të Hollywoodit.
"E kam kaluar shumicën e viteve '90 duke u fshehur dhe konsumuar marihuanë", shton ai. "Ndihesha shumë pakëndshëm me gjithë vëmendjen. Pastaj arrita në një vend ku isha i vetëdijshëm se po e burgosja veten. Tani dal jashtë dhe e jetoj jetën, dhe përgjithësisht njerëzit janë goxha ‘ccool’".