Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Botuesit nuk duan ta botojnë librin e Woody Allen: "Është i padëshirueshëm"

Fituesi amerikan i çmimit “Oscar” dhe regjisori Woody Allen (83), i cili për shkak të akuzave se ka abuzuar vajzën e tij është përballur me përbuzjen e kolegëve nga industria e filmit, nuk po arrin të gjejë botues për memoaret e tij, shkruan “The New York Times”.

Si duket askush nuk dëshiron t’i publikojë memoaret e reja të Woody Allen, sepse ai e ka fituar statusin e "persona non grata", ose personit të padëshirueshëm në Amerikë. Pas shkrimit të gazetës, Allen vitin e kaluar ia ofroi librin e tij botuesve të ndryshëm, por të gjithë e refuzuan atë për shkak të frikës nga publiciteti negativ dhe nga lëvizja Me Too. Personat kryesorë në shtëpitë botuese amerikane besojnë se bashkëpunimi me regjisorin do të ishte shkatërrimtar për ta.

Me sa duket regjisori ua kishte ofruar projektin e tij qysh vitin e kaluar botuesve më të mëdhenj amerikanë - HarperCollins, Hachette, Macmillan, Simon & Schuster dhe Penguin Random House, shkruan KOHA Ditore.

Që kur lëvizja "Me Too" i ka kushtuar shumë vëmendje abuzimit të tij të pretenduar të vajzës Dylan Farrow (33), kur ajo ishte shtatë vjeç, Allen nuk po përfillet prej botuesve edhe pse është liruar nga akuzat. Aktorë dhe aktore të shumta, të cilët më parë kanë punuar me Allen, u distancuan nga ai dhe thanë se nuk duan të bashkëpunojnë më me të.

Shoqja shumëvjeçare e Allen dhe shkrimtarja Daphne Merkin (64) thotë se ka punuar në memoare një kohë shumë të gjatë dhe se ato me siguri e ofrojnë edhe anën e tij të tregimit.

“Personalisht nuk e shoh asnjë punë në të ardhmen e tij – konsideron redaktori për çmime të Variety, Tim Gray, duke shtuar se shpreson se historia e tij do të jetë më e mirë se momenti i tanishëm. Tani për tani dëshirë për bashkëpunim ka treguar kompania spanjolle e produksionit ‘Mediapro’, e cila me regjisorin në shkurt e ka nënshkruan një marrëveshje për ta filluar xhirimin e një filmi të ri, ndërkohë që botues për memoaret e tij ndoshta do të mund të gjejë në Francë”.