Kantautorja e njohur amerikane, Billie Eilish, i ka ndarë disa këshilla për gratë dhe vajzat e reja që dëshirojnë të bëhen artiste, të cilave u thotë se nuk kanë nevojë të jenë të jashtëzakonshme gjatë gjithë kohës.
Në një intervistë të fundit, këngëtarja 21-vjeçare i kujtoi fillimet e karrierës së saj kur së bashku me vëllain, Finneas, bënin muzikë dhe shkruanin këngë si tinejxherë dhe provonin të jenë sa më ndryshe nga artistët e tjerë që ishte e mundur.
Eilish insiston se, pavarësisht faktit se ata e kishin një mision të qartë për të mos vepruar siç thoshin të tjerët, është në rregull për njerëzit që të mos i kenë të gjitha gjërat e planifikuara sikurse ata.
“Meritat për këtë i takojnë karakterit tim, unë gjithmonë kam qenë një person që nuk i ka interesuar mendimi i të tjerëve. Por, u deshën shumë vjet për t’i bindur të tjerët që do të veproj në mënyrën se si unë mendoj se është e duhur për mua. Kisha shumë ide dhe plane. Por, njerëzit dhe gratë në përgjithësi duhet ta dinë se nuk kanë nevojë të jenë të jashtëzakonshme gjatë gjithë kohës. Disa artistë nuk kanë plane të caktuara për karrierën e tyre dhe kjo është në rregull. Por, unë kisha planet e mia dhe nuk kisha në plan të mos i realizoja ato”.
Pop ylli i shpërblyer me disa çmime muzikore po ashtu tregoi se ka filluar të adaptohet me famën.
“Kam filluar të bëjë më mirë, por të jem e sinqertë nuk kam qenë gjithmonë mirë. Shumicën e ditëve kam ndjenja të këqija. Kur mendoj shumë për famën dhe faktin se më kurrë nuk do të kem privatësi në jetë, filloj të bëhem më keq dhe kjo mjafton të më detyroj të bëjë gjëra të çmendura. Por, duhet të adaptohesh dhe të mësohesh me këtë realitet”.
Në lajme të tjera, Eilish i ka paralajmëruar fansat se është duke e realizuar një album me muzikë të re. Ajo tha se është në fazat finale të krijimit të tij por kjo nuk do të thotë se këngët janë gati për t’i publikuar.
Albumi i shumëpritur i këngëtares vjen pas atij të lansuar në vitin 2021, “Happier Than Ever”. Kënga e fundit e Billie Eilishit e lansuar me videoklip ishte “What As I Made For”, që shërbeu si njëra prej kolonave zanore të filmit hit në arkat filmike, “Barbie”.
Përgatiti: Edona Binaku