Këngëtarja me famë botërore, Billie Eilish, është nominuar për herë të dytë për “Oscar”. Këtë herë për këngën e saj “What Was I Made For?”, që është kolonë zanore në filmin “Barbie”, raporton “People”.
Menjëherë pasi Akademia e Filmit ka ndarë listën e të nominuarve për çmimet “Oscar”, Eilish ka treguar emocionet përmes rrjeteve sociale.
Ajo në Instagram ka ndarë një fotografi ku shihet duke e përqafuar aktoren, Margot Robbie, e cila luan rolin e kukullës në filmin “Barbie”.
“Faleminderit shumë anëtarëve të Akademisë së Filmit për nominimin e ‘What Was I Made For?’ Ne jemi pafundësisht mirënjohëse për këtë nder si dhe që jemi pjesë e filmit ‘Barbie’”, ka shkruar Eilish.
Ajo ka falënderuar edhe regjisoren e filmit Greta Gerwig dhe burrin e saj Noah Baumbach, i cili e ndihmoi Grwigun në realizim të regjisë. Eilish punën e tij e quajti “gjeniale” si dhe falënderoi të gjithë ekipin e filmit.
Këngëtarja gjithashtu ka falënderuar edhe realizuesit e këngës, producentët Mark Ronson e Andrew Wyatt, të cilët janë të nominuar edhe si producentë të këngës “I’m Just Ken”, që këndohet nga aktori Ryan Golsing.
Eilish gjithashtu vlerësoi lartë edhe aktoren Margot Robbie, e cila nuk është nominaur për kategorinë aktorja më e mirë, duke thënë se ajo ka bërë një punë të mirë në aktrim si dhe regji të filmit bashkë me Gerwigun.
Billie Eilish bashkë me vëllain kishte fituar çmimin “Oscar” në vitin 2022, për këngën “No Time to Die”, që ishte kolonë zanore e filmit me të njëjtin emër, në kuadër të filmave të James Bondit.
Ajo fitoi edhe çmimin “Golden Globe”, për këngën “What Was I Made For”, si kënga më e mirë origjinale.