Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Ben Affleck shokon me deklaratën e fundit rreth martesës me Jennifer Garnerin

Foto: AP/Associated Press

Aktori i njohur hollywoodian, Ben Affleck, në një prej intervistave më intime dhe personale deri më tani, e ka befasuar publikun me deklaratat e fundit rreth martesës së kaluar me aktoren, Jennifer Garner. 

Affleck tha se ka gjasat që sot të ishte ende i varur nga alkooli, po që se do të vazhdonte të ishte i martuar me Garnerin.

Ylli 49-vjeçar i kinematografisë që i ka 3 fëmijët, Violet, Seraphina dhe Samuel, me ish-bashkëshorten e tij e cila po ashtu aktore e njohur e hollywoodit, e pranoi që nëse çifti nuk do të shkurorëzohej në vitin 2018, ai do të vazhdonte të ndihej i ngujuar në atë martesë. 

“Sikur martesa jonë të vazhdonte ende, ne sigurisht do të përfundonim duke e ngulfatur njëri-tjetrin nga presioni dhe zënkat. Me shumë gjasë unë do të vazhdoja të pija alkool pa kontroll. Kjo madje ishte një nga arsyet pse kisha filluar të konsumoja sasi të madhe të alkoolit, sepse ndihesha i ngujuar. Ngurroja t’i braktisja dhe zhgënjeja fëmijët e mi, por në anën tjetër nuk isha i lumtur dhe nuk dija çfarë të bëja për këtë. Prandaj, zgjedhja që e bëra atëkohë ishte ta pija një shihe të tërë raki dhe flija në krevatin e sallonit, dhe përfundimisht kjo doli të mos ishte zgjidhja e duhur për mua dhe gjithë familjen”.

Ylli i filmit “Argo” i cili u ribashkua me ish të fejuarën, Jennifer Lopez, pas pothuajse njëzet vjetësh, tutje shpjegoi se ai dhe Garner kishin provuar ta bënin martesën e tyre të funksiononte.

Duke folur për emisionin e radios “The Howard Stern Show”, aktori tha: “Përfundimisht ne provuam shumë dhe atë për një kohë të gjatë që ta shpëtonim lidhjen tonë, sepse i kishim fëmijët dhe nuk donim që ata të rriteshin me këtë lloj modeli të martesës jofunksionale. Të gjitha gjërat që i keni lexuar nëpër media e portale janë shpifje. E vërteta është që ne i kemi marrë shtruar të gjitha gjërat dhe në fund së bashku e morëm vendimin për t’u ndarë. Me kalimin e vjetëve ishim larguar nga njëri-tjetri dhe e kishim një martesë e cila nuk po funksiononte. Këto gjëra ndodhin mes çifteve. Jennifer ishte një grua të cilën e doja dhe respektoja shumë, por me të cilën nuk duhej të vazhdoja të isha i martuar. Prandaj u ndamë në mënyrë shoqërore. E kishim dhënë më të mirën nga vetja, por pa sukses. A kemi pasur momente tensioni, mosmarrëveshje rreth kujdestarisë së fëmijëve, mëri ndaj njëri-tjetrit? Po. Por në thelb, mes nesh gjithmonë ekzistonte respekti. Unë e dija se ajo është një nënë e mrekullueshme dhe gjithmonë shpresoja që edhe ajo mendonte se jam një baba i mirë. Sepse e dija që isha i tillë”.

Jennifer Garner dhe Ben Affleck, duket se kanë arritur t’i tejkalojnë të gjitha problemet dhe sfidat që vijnë me shkurorëzimin dhe sot i rrisin fëmijët e tyre së bashku dhe në harmoni. 

Edhe Ben Affleck sqaron deklaratat e tij për ish-gruan Showbiz Ben Affleck sqaron deklaratat e tij për ish-gruan

Aktorin dhe regjisorin Affleck do ta shohim së shpejti në ekran të madh me filmin e titulluar, “The Tender Bar”, i cili vjen me regji të ylli hollywoodian George Clooney. Ai e rrëfen historinë e një të riu i cili dashurinë prindërore dhe udhëzimin për jetë, i gjen tek xhaxhai i tij Charlie i portretizuar në film nga Beni. 

“The Tender Bar” bazohet në librin me kujtime të autorit J.R. Moehringer dhe pritet të lansohet nëpër kinema të limituara nga 17 dhjetori, para se të fillojë së transmetuari në platformën digjitale “Amazon Prime” më 7 janar të vitit 2022.

Përktheu: Edona Binaku