Këngëtarja legjendare, Barbra Streisand nuk ka pasur dëshirë të flasë për lidhjet e saj romantike në librin e saj të ri “My Name is Barbra”, por redaktori ia kërkoi, raporton The Hollywood Reporter.
“Një ndër arsyet se pse desha të bëj librin është të flas për ‘mitet’ që qarkullojnë për mua”, ka thënë Streisand në një intervistë në “CBS Sunday morning” me Gayle King.
Streisand ka thënë se nëse do të pyetej ajo, e cila tash është e martuar me James Brolin që 25 vjet, në libër do të kishte më pak përmbajtje nga lidhjet e saj romantike të mëparshme që kishte me Don Johnson, Ryan O’Neal, Andre Agassi dhe ish-kryeministrin kanadez, Pierre Trudeau.
“Dëgjo, unë nuk kam dashur të shkruaj për asnjërin nga ta. Por redaktori im i librit më tha se duhej të vendosja ca ‘pika gjaku’ në letër”, ka shpjeguar këngëtarja.
King më pastaj e pyeti atë se a kishte kaluar mirë gjatë asaj kohe.
“Me meshkujt e jetës time, po”, ka thënë ylli.
Ajo më tej foli për jetën e saj dhe tregoi se kishte qenë shumë e inatosur me vdekjen e babait të saj dhe se nëna nuk ishte shumë e afërt me të.
Barbra që është edhe producente videosh ka thënë se nuk ndihet se është e famshme.
“Nuk e mendoj veten si person të famshëm. Thjesht nuk e bëj. Jam e njëjta Barbra Joan Streisand që isha në shkollë të mesme”, ka thënë ajo.