Dyshja e njohur e muzikës latine, Bad Bunny dhe Rosalía, e kanë publikuar bashkëpunimin e tyre të ri me titull “La Noche de Anoche”.
Kënga është pjesë e albumit të fundit të reperit nga Puerto Rico, “El Último Tour Del Mundo”, i cili u lansua në nëntor të vitit të kaluar.
Tani, dyshja e famshme e muzikës e ka publikuar videoklipin zyrtarë të këngës, e cila i sjell ata duke i bërë serenatë njëri-tjetrit në një lokacion romantik në shkretëtirë, para se trupat e tyre t’i përfshijë zjarri.
Videoprojekti në fjalë është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga fansat e këngëtares Rosalía dhe reperit Bad Bunny, dhe brenda 15 orëve të para të lansimit kënga “La Noche de Anoche” i ka marrë rreth 8 milionë klikime.
Të dielën mbrëma, Bad Bunny po ashtu e konfirmoi lajmin se do të jetë mysafir muzikor në edicionin e radhës së emisionit, “Saturday Night Live”. Ky shou shumë i ndjekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të transmetohet më 20 shkurt, ndërsa prezantues i tij këtë javë do të jetë ylli i serialit “Bridgerton”, Regé-Jean Page.
Ndërkohë, muajin e kaluar Bad Bunny e përmbushi një ëndërr të fëmijërisë, duke performuar në ngjarjen e përvitshme të mundjes, “Royal Rumble”, të organizuar nga WWE. Në këtë shou, reperi shumë i suksesshëm latin e performoi këngën “Booker T”, teksa interpretoi dhe vallëzoi në praninë e personazhit të vërtetë, njëherësh yllit botëror të mundjes të shndërruar në komentues, Booker T.
Bad Bunny gjithashtu pritet që së shpejti ta shënojë debutimin e tij në aktrim. Ai është angazhuar të luaj në dy filma të ardhshëm, “American Sole”, ku do të luaj krahas Pete Davidsonit dhe “Bullet Train”, në të cilin luajnë një numër i madh i yjeve të hollywoodit, përfshirë këtu Brad Pittin dhe Lady Gagan.