Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Bad Bunny bëhet me figurë të re prej dylli në Las Vegas

Adhuruesit e reperit latin, Bad Bunny, tani mund të fotografohen me figurën e re prej dylli të artistit të tyre të preferuar, edhe në qytetin e dritave.

Muzeu “Madame Tussauds” në Las Vegas e ka zbuluar figurën e re të superylli nga Puerto Rico, ku ai vjen me dukjen e famshme të ceremonisë së vitit 2021, “American Music Awards”.

Afër figurës është vendosur një gjysmë-kamion ngjyrë vjollce dhe atmosfera është krijuar të duket sikur është në një shkretëtirë. Kjo skenë është frymëzuar nga ballina e albumit të Bad Bunnyt, “El Último Tour Del Mundo”. Ai po ashtu i ka dy figura tjera prej dylla të cilat janë vendosur në qytetet, New York City dhe Orlando.

“Sot po e përurojmë figurën e Bad Bunnyt, jo vetëm për të festuar 11 nominimet e tij për ceremoninë e ardhshme ‘Latin American Music Awards’, por edhe për ta uruar dhe nderuar atë për faktin se është bërë artisti i parë latin në mesin e performuesve kryesor të festivalit ‘Coachella’. Ai është duke e shijuar një vit të jashtëzakonshëm në karrierën e tij muzikore dhe ne jemi shumë të lumtur që me zbulimin e figurës së tretë prej dylli, po bëhemi pjesë e sukseseve të tij”, deklaroi Gabriel Hewitt, menaxher i përgjithshëm në “Madame Tussauds Las Vegas”.

Figura e re mori afërsisht gjashtë muaj për t’u krijuar nga 20 artistë të Londrës. Kështu u bë e ditur përmes një komunikate për media. Procesi përfshiu analizimin e qindra videove dhe fotografive për ta kapur çdo tipari të reperit 29-vjeçar, përfshirë këtu ngjyrën dhe teksturën e flokëve, ngjyrën e syve, lëkurës, formën e thonjve dhe gjithçka tjetër.