Dua Lipa nuk ishte këngëtarja e vetme me prejardhje shqiptare e cila triumfoi në edicionin e fundit të ceremonisë “Los40 Music Awards”, çmime që ndahen nga radiostacioni muzikor spanjoll “Los40”.
Derisa Lipa i ka fituar dy çmime kryesore në këtë ngjarje, atë “Albumi më i mirë ndërkombëtarë” dhe “Artistja më e mirë ndërkombëtare”, këngëtarja tjetër e suksesshme në botë, Ava Max, ka arritur po ashtu të shpërblehet në një kategori të rëndësishme të kësaj ceremonie. Ajo u nderua me çmimin “Videoklipi më i mirë” për projektin e saj “Tabu” të sjellë në bashkëpunim me artistin latin, Pablo Alboran.
“Wow çfarë viti për këngën ‘Tabu’!!! Jam jashtëzakonisht e nderuar. Faleminderit që më ke ftuar të jem pjesë e këtij projekti, Pablo Alboran… Vitin e kaluar u shokova kur u nderova në kategorinë ‘Kënga më e mirë ndërkombëtare’ me videoprojektin ‘Sweet but Psycho’ dhe tani po shpërblehem për këngën ‘Tabu’. Faleminderit adhuruesve spanjoll dhe radiostacionit ‘Los40’, për shpërblimin tim të dytë. Ju dua shumë dhe mezi pres të kthehem tek ju”, ka shkruar Ava Max në postimin e saj në Instagram.
Ndërkohë këngëtarja simpatike, Ava Max, aktualisht është duke e shijuar suksesin e albumit të saj debutues, “Heaven & Hell”, të cilin e ka publikuar në shtator të këtij viti.