Eksploruesi britanik, David Attenborough (93), bëri thirrje të mërkurën për mobilizim ndërkombëtar në luftën kundër ndotjes, ndërkohë që e pranoi nga duart e mbretëreshës Elizabeth II çmimin e respektuar për serinë e tij televizive “Blue Planet”, e cila e sensibilizon publikun pikërisht për këtë problem.
Çmimi “Chatham House” për vitin 2019 iu prezantua në Londër David Attenborough dhe Julian Hector, udhëheqësit të History Channel të BBC-së për ndikimin e fortë publik që kanë pasur me serinë e tyre Blue Planet II, kushtuar ndotjes së oqeanit nga plastika.
Mbretëresha shprehu "kënaqësinë" e saj që mundi t'ia dorëzonte çmimin mikut të vjetër Attenborough, dokumentarët e të cilit e kanë popullarizuar çështjen e zhvillimit të qëndrueshëm.
“Ky çmim është një mirënjohje për talentet tuaja të shumta”, – i tha mbretëresha eksploruesit të natyrës, i cili është njëkohësisht edhe regjisor dhe shkrimtar.
“Për ne që jemi në moshë të shtyrë është një kënaqësi e madhe të kemi dëshmi se mosha nuk është pengesë për përhapjen e ndikimit pozitiv”, – u tall mbretëresha, e cila është po aq e vjetër sa edhe Attenborough - 93.
Edhe
Kate Winslet do ta huazojë zërin në dokumentarin e ri të mbretit Charles për mjedisin

Duke e pranuar çmimin Attenborough theksoi "domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar" në luftimin e problemeve të ndotjes, shkruan KOHA Ditore. Ai u bëri thirrje 'dy ose tri' shteteve të mëdha, të cilat nuk i emëroi, që të bashkohen në luftën kundër ndryshimit klimatik.
“Jam i sigurt që do t'i bindim, por për këtë do të duhet kohë”, - tha ai.
Ai i lavdëroi të rinjtë që janë duke protestuar në të gjithë botën në luftën e tyre për ta ruajtur planetin dhe kundër neglizhencës së qeverive për këtë çështje shumë të rëndësishme.
“Bota u përket nxënësve, studentëve, kjo është bota e tyre, jo e imja”, - tha ai dhe përfundoi:
“Ata janë zemëruar me të drejtë”.
Edhe
Mbreti Charles e Cate Blanchett me podcast që ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit
Seria Blue Planet II ofron dëshmi për efektet katastrofale të mbetjeve plastike në oqeane, veçanërisht në faunën detare. Më shumë se 150 milionë tonelata plastikë po i ndotin oqeanet, sipas vlerësimeve aktuale.
“Ndotja me plastikë është një nga sfidat më serioze me të cilat po përballen oqeanet dhe është padyshim një problem ndërkombëtar”, - tha Robin Niblett, 58 vjeçar, drejtor i Chatham House. Ai e përshëndeti rolin e David Attenboroughut dhe studios BBC në vetëdijesimin e publikut për këtë çështje.