Showbiz

Ashton Kutcher falënderues ndaj gruas së tij Mila Kunis

Ylli i njohur amerikan, Ashton Kutcher, ka folur hapur për betejën kërcënuese për jetën me sëmundjen autoimune Vasculitis, si dhe e lavdëroi gruan e tij, Mila Kunis, për mbështetjen gjatë kësaj periudhe të vështirë dhe të frikshme.

Gjatë një interviste për shoun “The Checkup me Dr. David Agus” që transmetohet në platformën “Paramount+”, Ashton tha se është afër t’i rikthehet përsëri shikim dhe dëgjim normal.

Aktori ishte diagnostikuar nga mjekët me sëmundjen e rrallë të vaskulitit në nëntor të vitit 2019.

“U zgjova një ditë dhe kisha probleme me shikim dhe dëgjim, gjë që e çrregulloi ekuilibrin tim dhe nuk mund të ecja. Më pas e mësova se e kisha këtë formë të çuditshme dhe super të rrallë të vaskulitit”, tha aktori 44-vjeçar.

Vaskuliti shkaktohet kur ndodh inflamacioni i enëve të gjakut. Sipas klinikës “Mayo”, inflamacioni mund ta shkaktojë trashjen e mureve të enëve të gjakut. Gjendja mund të jetë afatshkurtër ose afatgjatë. Ashton tregoi se ishte i motivuar për ta rikthyer shëndetin që kishte dikur, pas ballafaqimit me sëmundjen e rëndë.

“Nga dita kur u zgjova për herë të parë në spital, do të thosha se tani mendërisht jam i fokusuar në arritjen e rikthimit të plotë të shëndetit. Më kujtohet se si nuk mund të ecja fare. Pas kësaj përvoje fillova të mendoj që nëse brenda një periudhe trevjeçare kaloj nga mosmundësia për të ecur në vrapimin e një maratone, atëherë mund ta lë që kjo eksperiencë të jetë pjesë e së kaluarës”, shpjegoi tutje ylli i serialit “That ‘70s Shoë”.

Kutcher e përfundoi maratonën e New York Cityt, muajin e kaluar.

Ashton po ashtu tha se duke e shikuar vëllain e tij binjak, Michael Kutcher, duke u përballur me vdekjen, i dha atij një vlerësim më të madh për jetën në një moshë shumë të re. Michael, i cili pak më vonë e shoqëroi aktorin në këtë intervistë të rrallë të përbashkët, ka paralizë cerebrale dhe gati vdiq si fëmijë pasi kontraktoi miokarditin viral, i cili ia zmadhoi zemrën. Të dyja situatat e lartpërmendura e bëjnë Ashtonin ta shikojë jetën e tij nga një pikëpamje tjetër.

“Mendoj se ndryshimi më i madh ka ndodhur në atë se si zgjedhi ta kalojë kohën më të madhe të jetës, e që në fakt është me fëmijët e mi”, tha Ashton i cili i ka dy fëmijët, Wyatt dhe Dimitri, me bashkëshorten Mila Kunis.

Mjeku, David Agus, ishte dëshmitar i rrezikut shëndetësor të Kutcherit tre vjet më parë, dhe në shoun e tij deklaroi se është e mahnitshme ta shohësh aktorin sot në krahasim me atë që ishte në vitin 2019. Sipas tij, shikimi dhe dëgjimi i tij tani janë shumë afër normales.