Aktorja, Ashley Tsidale, ka thënë se është larguar nga grupi “toksik” i nënave, pjesë e të cili ishin edhe koleget e saj të njohura, aktoret, Mandy Moore e Hilary Duff.
Ajo ka thënë se ky grup, të cilin ka vendosur ta lë, e ka bërë të qajë, ka raportuar BBC.
Aktorja amerikane, u bë e famshme nga kanali i gjigandit Disney e më pas mori një rol në projektin filmik “High School Musical”, ku luajti rolin e Sharpay Evans.
40-vjeçarja më parë pati diskutuar se sa mirë është të kesh mbështetje nga një “fshat me nëna” pasi pati lindur vajzën e saj të parë në vitin 2021.
Por ajo ka thënë se ndryshimi i dinamikës së grupit, ku përfshihen edhe yje të tjera të njohura, përfundoi duke ia rikujtuar disa grupe shoqesh të shkollave të mesme dhe e ka bërë të ndihet e “ngrirë” në një kohë kur gjendja e saj ishte e brishtë.
Ylli, që ka dy vajza me bashkëshortin Christopher French, ka komentuar në një artikull të magazinës “The Cut”, i cili është adaptuar nga blogu i saj personal, ku shkruhej për temën e grupit të nënave.
Ajo, përmes komentit, ka treguar se si grupet e nënave mund të bëhen toksike dhe se e bën telefonin e saj të shpërthejë me mesazhe nga nënat të tjera që kanë përjetuar të njëjtën situatë.
Në rastin e saj, këngëtarja, ka thënë se ka vënë re se disa nga nënat në grup po shoqëroheshin pa të, si dhe e ka vërejtur gjithashtu se po rritej njëfarë distancë ndaj saj edhe në ngjarjet kur ishin krejt bashkë.
“Pata filluar të ndihesha si e lënë anash grupit, duke vërejtur mënyrën përmes së cilës mundoheshin të më përjashtonin”, ka thënë Tisdale.
Ajo ka shtuar se kjo gjë i ka rikujtuar disa momente të ngjarjeve të çuditshme në këtë grup, kur edhe një tjetër nënë ishte përjashtuar.
“Dukej sikur ky grup kishte njëfarë manuali për ta lënë dikë anash, dhe kjo dikush isha bërë unë”, ka thënë Tisdale.
Ylli ka cekur se këto ngjarje i kanë rikujtuar një ndjenjë të keqe që i kishte ndodhur më parë, atë sikur nuk ishte “mjaftueshëm ‘cool’”, për të qenë pjesë e grupit.
Ajo ka vendosur të shkëputet dhe ka treguar se u ka dërguar mesazhe pjesëtareve të tjera, duke ju thënë se “Kjo gjë më ngjan shumë sikur të ishim në shkollë të mesme, dhe nuk dua të jem pjesë e kësaj më”.
Megjithatë ajo ka thënë se disa nga nënat janë munduar t’i qetësojnë gjërat, ndërkohë që mesazhet që u dërgoi nënave nuk shkuan edhe aq mirë.
“Që të jem e qartë, asnjëherë skam menduar se nënat janë njerëz të këqinj (ndoshta vetëm një) por mendoj se dinamika e grupit nuk është më e shëndetshme e pozitive, të paktën për mua”, ka thënë Tisdale.
Ajo i dekurajoi lexuesit që të mundoheshin të gjenin se për kë e ka fjalën në komente, duke u thënë se “çfarëdo që mendoni se është e vërteta, nuk është as afër”.
Si artiste, Tisdale, ka lansuar katër albume, ndërkohë që në karrierën e saj si aktore përfshihen filmat si “Scary Moovie” dhe “Bring It On”.