Festivali i sapopërfunduar Coachella këtë vit e mblodhi një varg të muzikantëve të njohur, ndërsa si kryesuesja më e re në histori këtë vit ka performuar edhe ylli i popit, Ariana Grande (25). Në festivalin e vitit të kaluar, rolin e yllit kryesor të mbrëmjes e kishte diva e R & B Beyonce (37), ndërsa pikërisht fansat e saj janë më të zemëruarit pas të dhënave të publikuara për honoraret e fitimeve të tyre.
Si duket këngëtarja e re Grande i ka inkasuar më shumë se 8 milionë dollarë, ndërsa Beyonce fitoi dy herë më pak vitin e kaluar, ose diç më pak se 4 milionë dollarë. Ky çekuilibër në honorare u ka penguar shumë adhuruesve.
Performancën e Beyonce të vitit të kaluar në Coachella kritikët e konsiderojnë si një nga performancat më të rëndësishme të të gjitha kohërave në festival. Netflix bazuar në këtë koncert e ka xhiruar një dokumentar muzikor në lidhje me këngëtaren e famshme, ndërsa është interesante se në film ka punuar edhe vetë Beyonce. Kjo ishte edhe hera e parë që një femër zezake ishte ylli i këtij festivali të madh, ndërsa pikërisht diskriminimi racor sipas shumë njohësve është arsyeja e mundshme se pse Grande për të njëjtin rol është paguar sa dyfishi i këngëtares me famë më të madhe botërore dhe me përvojë më të madhe, shkruan KOHA Ditore.
Beyonce e kishte përgatitur performancën e vitit të kaluar për tetë muaj, më shumë se njëqind persona ishin angazhuar vetëm për këtë projekt, ndërsa në fund gjithçka u bë me përsosmëri dhe këngëtarja e tregoi profesionalizmin e saj. Nga ana tjetër, performanca e fundit e Arianës i la shumë adhurues të zhgënjyer. Fansat e sulmuan Grande dhe festivalin që zërimi gjatë performancës ishte i tmerrshëm dhe se nga performanca e yllit kryesor të mbrëmjes nuk e morën as për së afërmi atë që e prisnin kur e paguan biletën.