Platforma muzikore, Apple Music, e ka publikuar listën e këngëve më të dëgjuara globalisht në vitin 2022, me ç’rast listën e kryeson hitit i vitit i realizuar nga The Kid LAROI dhe Justin Bieber, “Stay”.
Kjo këngë u lansua në qershor të vitit të kaluar si pjesë e ‘mixtape’ të këngëtarit The Kid LAROI, “*F*ck Love 3: Over You”. Pasi debutoi në pozitën e tretë të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard”, gradualisht ajo arriti të rrëshqas në vendin e patë ku qëndroi për katër javë rresht.
Në vendin e dytë të listës së këngëve më të dëgjuara në platformën Apple Music, gjendet hiti i yllit britanik Harry Styles, “As It Was”, kurse bashkëpunimi mes reperëve Future, Drake dhe Tems, “WAIT FOR U”, u pozicionua në vendin e tretë. E katërta në rend është kënga “Super Gremlin” nga reperi amerikan Kodak Black, ndërsa top-pesëshja plotësohet me hitin “Easy On Me” nga kantautorja shumë e dashur nga publiku, Adele.
Këngët tjera që arritën të futen në top-dhjetëshen e kësaj liste janë: “Heat Waves” nga bendi “Glass Animals”, “Cold Heart” nga Elton John dhe Dua Lipa, “First Class” nga Jack Harlow, “Me Porto Bonito” nga Bad Bunny dhe Chencho Corleone dhe “acbdefu” nga GAYLE.
Është interesante se pothuajse gjysma e këngëve që përbëjnë dhjetë pozitat e para të toplistës, në të vërtetë nuk janë publikuar në vitin 2022. “Stay”, “Easy On Me” dhe “Cold Heart” u lansuan të gjitha në vitin 2021, ndërsa “Heat Waves” në qershor të vitit 2020.
Hip-Hopi ishte zhanri i muzikës më i përfaqësuar globalisht në 100 pozitat e para të kësaj liste, me gjithsej 32 këngë. 23 prej tyre janë identifikuara se i takojnë zhanrit pop dhe 11 të tjera ishin këngë të zhanrit R&B/Soul.
Publikimi i kësaj liste përkon me lansimin e funksionit më të ri në platformën e famshme muzikore, “Apple Music Replay”, i cili ua mundëson përdoruesve që ta shohin se cilët ishin artistët, këngët dhe albumet e tyre të preferuara këtë vit.
Platforma konkurrente, Spotify, ende nuk e ka publikuar versionin e tyre të listës së këngëve më të dëgjuara të vitit, megjithëse së fundmi i paralajmëroi abonentët që mund ta presin atë së shpejti.