Aktorja Jennifer Aniston ka thënë se ribashkimi për serinë “Friends” i ka ndihmuar që të zbulojë më shumë për mendjen e kolegut Matthew Perry dhe vështirësitë e tmerrshme si një aktor i komedisë.
“Nuk e kam kuptuar nivelin e problemit dhe torturës që binte mbi Matthew Perryn nëse ai nuk bënte të qeshte. Nuk e dija për shkatërrimin që ndiente ai”, ka thënë Aniston, 52-vjeçare, në emisionin “Today”.
Aktorja e njohur i ka kujtuar detajet e presionit që Perry ia kishte bërë vetes gjatë xhirimeve, kur shakatë e tij nuk ishin aq të mira para audiencës në studio.
Ylli i “The Morning Show” foli për serinë pak javë pas transmetimit të edicionit të veçantë “Friends: Reunion”. Në këtë episod ajo u bë bashkë përsëri me aktorët Perry, Lisa Kudrow, Courteney Cox, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer.
Anistoni, e cila luajti rolin e Rachel Green në serinë e viteve ‘90, ka thënë se mendësia e aktorit kishte plot kuptim.
Në episodin e veçantë, Perry ka thënë se do të përjetonte kriza të shumta nëse komedia e tij nuk kishte efekt tek audienca.
“Ndihesha sikur jam duke vdekur nëse ata nuk do të qeshnin dhe ishte e pashëndetshme. Nëse nuk qeshnin, unë tmerrohesha me veten”, ka thënë Perry.