Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Andrew Scott me mision në “Steel Country”

Pas një shfaqjeje të suksesshme në festivalin në Edinburgh vitin e kaluar, trileri “Steel Country”, i cili njihet edhe si “A Dark Place”, së shpejti do të fillojë edhe me distribucion më të gjerë, ndërsa tani kemi mundësi ta shohim edhe paralajmërimin e parë.

Me regji të Simone Fellows, “Steel Country” është një histori e errët rreth intrigave dhe mistereve; histori për autsajderin në një qytet të vogël i cili lufton për të vërtetën rreth zhdukjes së një djaloshi vendas; histori rreth asaj se si natyra e tij e palodhur, obsesive e vë në pikëpyetje edhe logjikën e tij.

Donald Devin (Andrew Scott) është mbledhës plehrash në Harburgh të Pennsylvanisë, një qytet ky që ka parë ditë edhe më të mira. Si baba i vetëm Donny i kalon ditët e tij duke mbledhur mbeturina nga banorët e këtij qyteti të përgjumur, me shoqen e tij më të mirë Donna Reutzel (Bronagh Waugh), ndërsa në kohën e lirë ai përpiqet të jetë babai më i mirë i mundshëm i vajzës së tij të re Wendy (Christa Beth Campbell), shkruan KOHA Ditore.

Megjithatë, kur Tyler Ziegler, djaloshi i cili e përshëndetë çdo ditë Donnyn kur Donny kalon në lagje, papritmas zhduket, Donny është i vendosur të zbulojë se çfarë i ka ndodhur atij. Sherifi lokal nuk i tregon atij asgjë, ndërsa njerëzit e qytetit ndaj zhdukjes së djaloshit reagojnë në mënyrë të pazakontë, por Donny bëhet edhe më i vendosur për ta zbuluar të vërtetën.

Se çfarë të vërtete do ta zbulojë zhdukja e djaloshit këtë do ta mësojmë në fund të prillit kur filmi arrin në kinema.