Në dëshminë e saj, në seancën që ka vazhduar edhe të enjten, aktorja Amber Heard, ka deklaruar se ish-bashkëshorti i saj, Johnny Depp dëshironte që ajo t’i jepte fund aktrimit.
Heard po ashtu ka thënë se Deppi mundohej t’i kontrollonte llojet e roleve që ajo do t’i merrte për filma të ndryshëm, raporton revista “People” të enjten, transmeton Koha.net. Aktorja 36-vjeçare ka deklaruar po ashtu se Depp, 58 vjeç, e ka quajtur atë “budallaqe dhe naive” dhe e ka kritikuar për dëshirën e saj për ta vazhduar karrierën e aktrimit, gjatë lidhjes së tyre.
Çifti Depp-Heard është njohur gjatë xhirimeve të filmit “The Rum Diary”, derisa romancën e filloi në vitin 2011, kur nisi promovimi i filmit.
Heard gjatë dëshmisë së saj të enjten, ka thënë se Depp ka ndërhyrë edhe për veshjet e saj të përditshmërisë dhe në ngjarje të ndryshme, e po ashtu e ka akuzuar atë se po e tradhtonte, sa herë që ajo kalonte kohë me dikë tjetër.
Ajo tha se ajo e pranoi idenë për t'u pajtuar me kërkesat e Deppit rreth aktrimit, sepse donte të "minimizonte një pjesë të xhelozisë dhe pasigurisë që ai kishte".
Edhe
Amber Heard refuzon të flasë për martesën me Johnny Depp në dokumentarin “Silenced”
"Ishte e vështirë për mua të punoja, të justifikoja punën. Çdo audicion, çdo takim, çdo skenar që merrja ishte një negociatë ose një grindje. Më duhej ta justifikoja sikur do të thosha, 'Hej, le të kemi një marrëdhënie të hapur’. Mendova se kjo do të minimizohej nëse mund ta bëja atë të ndihej më i sigurt. Unë kam qenë gjithmonë me të vërtetë e pavarur dhe nuk e kam imagjinuar kurrë të mos punoj. Kam punuar që nga koha më e hershme që mund ta imagjinoj. Vij nga prindër që kanë punuar derisa nuk kanë mundur më. Unë kurrë nuk e imagjinoja veten që duhej të shpjegoja punën time ose të justifikoja punën time. Por e bëra”, është shprehur Heard.
Depp donte që ajo të ndalonte së punuari, shtoi Heard, duke theksuar se asaj do i duhej të merrej vesh me të dhe t’i shpjegonte se po i mbështeste financiarisht prindërit dhe motrën e saj, Whitney.
"Ai do të thoshte: Ti nuk duhet të punosh. Më lër të kujdesem për ty. Gruaja ime nuk ka pse të punojë. Kjo tingëllon vërtet e ëmbël dhe vërtet romantike në një farë mënyre, por u bë një luftë e vërtetë”, ka shtuar Heard.
Ajo ka thënë se filloi të refuzonte projektet që përfshinin skena seksi.
“Përfundimisht më duhej të ndryshoja veshjet dhe të kisha makijazh minimal në filma”, është shprehur Heard.
Gjatë kohës që ishte në tribunë, Depp iu kundërpërgjigj akuzës së Heardit se ai kontrollonte mundësitë e saj për karrierë, duke thënë: Zonja Heard kishte ardhur te unë dhe ajo dukej se ishte seriozisht e shqetësuar për mënyrën se si po portretizohej në Hollywood. Ajo ishte e shqetësuar, sepse ajo kishte bërë filma ku kishte një lloj lakuriqësie arbitrare, gjëra të asaj natyre, ajo ma kishte shprehur se nuk donte të shikohej në atë mënyrë në industri. Ajo donte të ishte në gjendje t'u shpëtonte zinxhirëve të objektivizimit nga sistemi i Hollywoodit, që është një gjë e vështirë për çdo grua, sigurisht, për fat të keq. Ajo më pyeti: Si mund të shmang të jem stereotip si biondja e bukur që nxjerr gjoksin ose del lakuriq... dhe unë ia dhashë këshillën time se si ta shmangte atë, që mendova se ishte mjaft e saktë. Ambicia e saj ishte më e fortë se ajo që mori nga këshillat e mia”, tha Depp në përgjigje ndaj akuzës së Heard.
Depp ka paditur ish-bashkëshorten e tij për shpifje, duke argumentuar se artikulli i saj i vitit 2018 për “The Washington Post” për mbijetesën e dhunës në familje shkatërroi reputacionin dhe mundësitë e tij për karrierë, edhe pse ajo nuk e përmendi atë me emër në artikull. Ai ka thënë se pas akuzave të Heardit ndaj tij, ai ka humbur "asgjë më pak se gjithçka".
Edhe
Heard: Marrja në pyetje për sulmin seksual të Deppit ishte gjëja më e frikshme
Ata u martuan në vitin 2015, më pas u ndanë në maj të vitit 2016.
{gallery}