Amazoni në panelin e sivjetshëm të Shoqatës së kritikëve televizivë, i bëri disa njoftime lidhur me programin e vet, duke i përfshirë edhe lajmet për sezonet e ardhshme të serive të veta.
Në mesin e tyre është seriali Expanse, i cili tashmë e mori dritën e gjelbër për sezonin e pestë. Amazon e shpëtoi Expanse nga anulimi dhe sezonin e katërt e presim në dhjetor të këtij viti, ndërsa gjatë Comic-Conit të sivjetshëm, është prezantuar edhe traileri për serinë e preferuar fanta-shkencore. Skuadra Rocinante në sezonin e ri do të jetë në një rrezik të ri në një planet të ri dhe ende të pahulumtuar.
Së bashku me lajmin për një sezon të ri të serisë Expanse, ka mbërritur edhe miratimi i hershëm për sezonin e dytë të serisë së zhanrit fantazi Carnival Row, sezonin e parë të të cilës ende po e presim, shkruan KOHA Ditore. E vendosur në botën fantastike viktoriane, seria e sjell botën e mbushur me qenie mitologjike të cilët e kanë braktisur vendlindjen e tyre ekzotike pas pushtimit njerëzor.
Popullsia në rritje e këtyre emigrantëve të çuditshëm lufton për bashkëjetesë me njerëzit sepse e kanë të ndaluar të jetojnë, të duan dhe të fluturojnë lirshëm. Por, edhe në errësirë ka shpresë. Detektivi njeri Rycroft Philostrate (Orlando Bloom) dhe zana emigrante Vignette Stonemoss (Cara Delevingne) e fillojnë një aferë të rrezikshme përkundër shoqërisë gjithnjë e më jotolerante rreth tyre. Vignette e ruan një sekret që mund ta rrezikojë botën e Rycroft gjatë kohës së një prej rasteve më të rëndësishme të karrierës së tij: një seri vrasjesh të tmerrshme e kërcënon paqen në Row.
Sezoni i parë i serisë Carnival Row në Amazon mbërrin më 30 gusht.