Yjeve të Hollywoodit, Ben Stiller dhe Sean Penn, u është ndaluar përgjithmonë hyrja në Rusi.
Aktorët janë në mesin e 25 amerikanëve, të cilëve u ndalohet hyrja në vend për shkak të mbështetjes së tyre për Ukrainën, në mes të pushtimit të vendit me urdhër të presidentit, Vladimir Putin.
Në një deklaratë për media, Ministria e Jashtme e Rusisë e zbuloi këtë listë si dhe e konfirmoi ndalimin e përhershëm të hyrjes së këtyre personave në Federatën Ruse.
“Veprimet armiqësore të autoriteteve amerikane, të cilat vazhdojnë ta ndjekin një kurs rusofobik, duke shkatërruar lidhjet dypalëshe dhe duke përshkallëzuar konfrontimin midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, do të vazhdojnë të kundërshtohen me vendosmëri”, shkruhej në deklaratën për media.
Lista e plotë tani i përfshinë më shumë se 1.000 emra, përfshirë këtu Sekretaren amerikane të Tregtisë, Gina Raimondo dhe senatorët, Mark Kelly, Michael Rounds, Krysten Sinema, Kevin Cramer, Rick Scott dhe Pat Toomey, raporton portali “Female”.
Sean Penn ka qenë ndër të famshmit e parë që tregoi mbështetje publike për Ukrainën, dhe në fillim të konfliktit udhëtoi drejt këtij vendi për ta xhiruar një dokumentar.
Edhe
Jim Carrey në listën e të famshmëve që u ndalohet hyrja në Rusi
Ndërkohë, në muajin qershor, Ben Stiller, shkoi në Ukrainë për një vizitë në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Ai i vizitoi refugjatët ukrainas në kufirin polak, dhe ndau përvojën e tij në mediat sociale. Aktori e vuri në dukje se miliona njerëz janë detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre, që nga fillimi i luftës me Rusinë.
Ukrainën në këtë kohë të vështirë e kanë vizituar edhe aktorët, Angelina Jolie, Jessica Chestain dhe Liev Shreiber.