Showbiz

Jessica Chastain takohet me presidentin Volodymyr Zelenskyy në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, e ka lavdëruar yllin hollywodian, Jessica Chastain, për ndihmën që ia ka dhënë shtetit të tij, në këtë kohë të vështirë si pasojë e konfliktit të vazhdueshëm me Rusinë.

Të dielën (7 gusht) politikani 44-vjeçar u takua me aktoren amerikane në kryeqytetin ukrainas, Kyiv, raporton portali “Mail Online”.

Pas takimit të mbyllur, Zelenskyy e postoi një deklaratë në platformën “Telegram”, përmes së cilës e falënderoi Chastainin dhe yjet e tjerë të kinematografisë që e kanë vizituar Ukrainën në kohë lufte.

“Aktorja amerikane, Jessica Chastain, është në Ukrainë. Për ne, vizitat e tilla nga njerëz të famshëm janë jashtëzakonisht të vlefshme. Falë këtij fakti, bota do të dëgjojë, mësojë dhe kuptojë të vërtetën e asaj që është duke ndodhur në shtetin tonë”.

Gjatë vizitës së saj në Kyiv, Chastain e vizitoi spitalin për fëmijë “Okhmatdyt”, ku u takua me fëmijët dhe të rinjtë që po trajtohen aty, e të cilët vijnë nga qytetet e shkatërruara nga lufta, Kherson dhe Chernihiv. Më pas, aktorja udhëtoi drejt qytetit Irpin.

Në muajin qershor, Ukraina i falënderoi zyrtarisht aktorët e listës A në Hollywood, Ben Stiller, Sean Penn, Liev Schreiber dhe Angelina Jolie, për faktin se e vizituan shtetin tashmë të shkatërruar nga ushtria ruse.

Ministria e Mbrojtjes përmes një postimi në Twitter deklaroi se shteti është mirënjohës ndaj yjeve të kinematografisë, të cilët pavarësisht rrezikut me të cilin janë përballur, e kanë vizituar Ukrainën.

“Ju jeni më shumë se inspirim për të gjithë ne. Miliona njerëz anembanë botës e kanë dëgjuar të vërtetën nga ju, për sfidat dhe rrezikun me të cilin po përballet populli ukrainas”, shkruhej në mesazh.

Image

Që kur Rusia e pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, në atë që presidenti Vladimir Putin e quajti një ‘operacion special ushtarak’, konflikti është kthyer në një luftë rrënimi të zhvilluar kryesisht në lindje dhe jug të Ukrainës. Si pasojë, miliona njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe vazhdojnë të jetojnë si refugjatë nëpër Evropë dhe më gjerë.