Showbiz

Adidasi e humb betejën për dizajnin me vija

Adidasi e ka humbur një rast gjyqësor me të cilin tentonte që t’ia ndalonte një dizajneri përdorimin e dizajnit me katër vija.

Gjiganti i veshjeve sportive ka argumentuar se katër vijat e brendit luksoz “Thom Browne Inc” janë të ngjashme me ato të “Adidasit”, raportoi BBC-ja të premten.

Mirëpo Browne ka argumentuar se blerësit mund t’i dallojnë brendet, pasi vijat janë të ndryshme.

Adidasi po planifikon të kërkojë më shumë se 7,8 milionë dollarë dëmshpërblim, mirëpo një juri në New York është rreshtuar krah brendit “Browne”.

Modelet e Browne shpesh paraqesin katër vija horizontale, paralele, që rrethojnë krahun e një veshjeje ose siç shihet shpesh tek vetë krijuesi - një çorape. Modelet e Adidasit ndërkaq shpesh kanë tri vija.

Veshjet sportive nuk dominojnë krijimet e Thom Browne Inc dhe prodhimi i tyre synon klientët e pasur - për shembull, një këmishë me mëngë kushton mbi 300 euro.

Ndonëse Adidasi e ka nisur aksionin kundër Browne në vitin 2021, beteja ndërmjet dy kompanive daton prej më shumë se 15 vjetësh.