Showbiz

Adele i referohet vetes si ‘grua e martuar’

Ylli britanik i muzikës, Adele, i është drejtuar vetes si ‘grua e martuar’ në koncertin e fundit në Las Vegas. Kështu, edhe një herë ajo lë të nënkuptohet se është martuar me të dashurin e saj amerikan, Rich Paul.

Këngëtarja e hitit “Rolling In The Deep” e bëri komentin bombastik teksa po fliste për agjentin e sportit, Paul, duke treguar se ai është adhurues i flaktë i futbollit amerikan por që ajo nuk ka fare interes për këtë lojë.

“Unë nuk jam gruaja më e mirë kur vjen puna tek futbolli”, deklaroi Adele para të pranishmëve në koncertin e radhës, “Weekends With Adele”, që u mbajt në sallën “The Colosseum”.

Pak ditë më parë, fituesja e çmimit “Grammy” e quajti Richin ‘burrin e saj’.

Ylli 35-vjeçar i muzikës pop i ka përditësuar fansat rreth statusit të lidhjes së saj më 16 shtator, gjatë performancës në Las Vegas. Në një moment gjatë koncertit ku ajo zakonisht shëtit nëpër sallë dhe iu përgjigjet pyetjeve të publikut, Adele nuk ngurroi të flas edhe për partnerin e saj.

Në një video të fundit që po qarkullon ën TikTok, një fanse i kërkon martesë kantautores britanike, e cila i përgjigjet duke thënë: “Nuk mund të më martosh, nuk jam lesbike e dashur. Dhe burri im është këtu sonte”.

Këngëtarja e hitit “Hello” ka qenë e martuar me Simon Koneckin nga viti 2018 deri më 2021, me të cilin e ka një djalë të quajtur, Angelo.

Romancën me Richin e filloi pak kohë pas shkurorëzimit nga ish-bashkëshorti. Çifti ka dy vjet që është në lidhje, pasi fillimisht ishin takuar në një ndejë të ditëlindjes të një miku të përbashkët.

Ata e konfirmuan lidhjen në verën e vitit 2021 kur u fotografuan së bashku në një lojë të basketbollit në Los Angeles. Më vonë, Adele e pranoi se e ka mbajtur lidhjen të fshehtë sa më gjatë që ishte e mundur, duke mos i treguar as miqve të ngushtë për të dashurin e saj të ri.

Në disa intervista teksa e përshkroi partnerin, Rich Paul, këngëtarja e famshme tregoi se ai është shumë i zgjuar, ka sens të mrekullueshëm të humorit dhe është shumë i zoti në punën që e bënë. Tutje e pranoi se është shumë e dashuruar dhe më e lumtur se kurrë.

Përgatiti: Edona Binaku

Image