Showbiz

Kylie Minogue bashkëpunon me Bebe Rexhën në këngën e re

My Oh My

Viti i jashtëzakonshëm i pop-yllit, Kylie Minogue, vetëm po vazhdon të bëhet më i shkëlqyeshëm me projektin muzikor, “My Oh My”, që është bashkëpunimi i ri i këngëtares australiane me artistet, Bebe Rexha dhe Tove Lo.

Kënga është prodhuar nga Steve Mac, i cili në të kaluarën ka bashkëpunuar me yje të tillë si, Calvin Harris, “Little Mix”, Ed Sheeran, “One Direction” dhe P!nk. “My Oh My” u publikua para 8 orëve vetëm në versionin audio, dhe është pritur mirë nga adhuruesit e treshes së shquar të muzikës pop. Ajo vjen mjaft ritmike dhe duket të jetë një projekt i përshtatshëm për sezonin e verës dhe muzikë tipike për klube të natës.

Viti 2023 ka qenë i jashtëzakonshëm për artisten nga Melbourne, me lansimin e albumit “Tension” i cili u pozicionua në vendin e parë të toplistave në Britani të Madhe dhe Australi, dhe publikimin e hitit global “Padam Padam”, i cili arriti të renditet në top-dhjetëshe të toplistës së këngëve më të mira dhe ia fitoi këngëtares një çmim “ARIA” në kategorinë “Kënga më e mirë e zhanrit pop”. Sukseset për Kylie Minogue vazhduan edhe gjatë 2024-tës me ç’rast e rrëmbeu çmimin “Ikonë Globale” në ceremoninë prestigjioze “BRIT Awards”, duke u bërë gruaja e dytë në histori që e pranon këtë nderim, pas Taylor Swiftit. Po ashtu e fitoi një çmim “Grammy” në kategorinë “Incizimi më i mirë pop” për këngën “Padam Padam”, si dhe e përfundoi me sukses serinë e koncerteve në Las Vegas.

Po ashtu Kylie nënshkroi marrëveshje me agjencinë “United Talent” për përfaqësim të drejtpërdrejtë në SHBA dhe Kanada, si dhe disa role aktrimi nëpër projekte të ndryshme anembanë botës.

Performanca e saj e parë live për këtë vit do të jetë të shtunën në Britani të Madhe, atje ku konsiderohet një thesar kombëtarë, me ç’rast interpreton si artistja kryesore e ngjarjes së përvitshme “BST Hyde Park” në Londër.

Shqiptarja me famë botërore, Bebe Rexha, së fundmi ka sulmuar industrinë e muzikës përmes disa postimeve në rrjetet sociale. Ajo deklaroi se ndihet e frustruar për faktin se është sabotuar nga persona të caktuar në industri.

“Kam heshtur për një kohë të gjatë. Nuk i kam parë shenjat ani se njerëzit më kanë paralajmëruar vazhdimisht dhe kanë qenë kaq të dukshme. Edhe kur kam folur jam detyruar të hesht dhe jam ndëshkuar nga kjo industri. Gjërat duhet të ndryshojnë ose do të tregoj të gjitha të vërtetat. Të mirat, të këqijat dhe të shëmtuarat”, ka shkruar Rexha.

“Chase It” dhe “I’m the Drama” janë dy këngët e fundit të lansuara me videoklip nga Bebe Rexha. Janë mirëpritur nga fansat e saj anembanë botës, të cilët e kanë përkrahur edhe në këto momente të vështira të karrierës nëpër të cilat po kalon.  

 

Tove Lo, është një kantautore nga Suedia e cila e gëzon një karrierë të suksesshme në skenën e muzikës pop. Disa prej hiteve më të shquara të këngëtares janë, “Habits”, “Talking Body”, “Hoë Long”, “No One Dies from Love” dhe të tjerë. Ajo ka bashkëshkruar këngë për emra të njohur të skenës botërore të muzikës si, Dua Lipa, Lorde, Ellie Goulding, Charlie XCX, Nick Jonas, Ava Max, “Coldplay”.