Keith Morrison, njerku i aktorit të ndjerë Matthew Perry, ka folur për herë të parë pas vdekjes së aktorit të serialit “Friends”, raportoi The Hollywood Reporter.
Morrison shkroi në rrjetin social “X” duke i inkurajuar njerëzit të kontribuojnë në fondin që është themeluar në emër të aktorit, “Matthew Perry Foundation”.
“Kjo fushë nuk është ajo që unë bëj zakonisht. Por ky vit është ndryshe. Dhe nesër është ‘GivingTuesday’ (dita e dhurimeve). Bëni ç'të mundeni. Ai do të kishte qenë mirënjohës”, ka shkruar Morrison.
Fondacioni në emrin e yllit u themelua me qëllim që të ndihmohen personat të cilët po kalojnë nëpër faza të rënda të depresionit dhe varësisë nga droga apo alkooli.
Aktori më parë kishte treguar se vuan nga varësia ndaj alkoolit dhe drogës. Për këtë ai ka shkruar edhe në librin e tij “Friends, Lovers and the Big Terrible Thing”, i cili u publikua vitin e kaluar.
Perry vdiq më 28 tetor në moshën 54 vjeç, pasi policia e Los Angelesit e gjeti atë pa shenja jete në vaskën e shtëpisë së tij atje. Shkaqet e vdekjes ende janë nën hetime.
Në Instagram ka shkruar edhe mikja e tij, aktorja Jennifer Aniston, me të cilën aktori luajti në serialin “Friends”.
“Për ‘GivingTuesday’ ju lutemi bashkohuni me mua dhe familjen e Matthewt në mbështetjen e fondacionit të tij, i cili po punon për të ndihmuar ata që vuajnë nga varësia. Ai do të kishte qenë mirënjohës për dashurinë që dhuroni”, ka shkruar Anniston.
Ndërkohë ajo dhe katër miqtë tjerë të Perryt nga seriali kanë ndarë shumë mesazhe prekëse në kujtim të tij.