Aktorja e njohur, Gwyneth Paltrow, ka mohuar në gjykatë se ka shkaktuar një aksident me ski në vitin 2016 në Utah, për të cilën personi që e ka paditur ka thënë se e ka lënë atë me lëndime që i kanë ndryshuar jetën, raportoi të dielën BBC-ja.
Terry Sanderson, 76 vjeç, thotë se aktorja hollivudiane e ka shkaktuar përplasjen. Ai po kërkon dëmshpërblim prej 300,000 dollarë.
Paltrow e ka kundërshtuar këtë, duke thënë se i moshuari është përplasur me të dhe e ka lënduar.
Avokatët e Sandersonit thonë se Paltrow u shpërqendrua nga fëmijët e saj dhe u largua nga përplasja.
Sipas padisë së tij civile, Sanderson pësoi një dëmtim të vazhdueshëm të trurit dhe katër brinjë të thyera.
Paltrow ka dëshmuar në gjykatë të premten, ditën e katërt të gjyqit, se përplasja e la atë me një dhimbje në gju.
"Unë nuk e shkaktova aksidentin, kështu që nuk mund të jem fajtor për asgjë që i ndodhi më pas atij", është shprehur Paltrow.
Avokatët e zonjës Paltrowit argumentojnë se Sanderson është fajtori për aksidentin dhe se ai kishte disa kushte mjekësore përpara përplasjes, duke përfshirë humbjen e shikimit dhe dëgjimit nga një goditje në tru; një çrregullim i trurit që shkaktoi grumbullim të tepërt të lëngjeve.
Gjyqi, para një jurie prej tetë personash, do të vazhdojë të hënën.