Showbiz

Shpërthen ylli italian Blanco, shkatërron skenën e festivalit “Sanremo”

Këngëtari italian, Blanco, u përball me një reagim të ashpër të martën mbrëma për shkatërrimin e skenës së “Sanremos”, festivali më i madh i muzikës në vend. Ngjarja po transmetohej në televizion drejtpërdrejt prandaj edhe veprimi i këngëtarit nuk i mirëprit nga publiku.

19-vjeçari, Blanco, goditi me shqelma mbi trëndafilat që ishin vendosur përreth skenës në teatrin “Ariston”, duke i thyer të gjitha vazot me lule në tokë, kjo ngase ishte kapluar nga inati dhe nervoza.

Këngëtari u përpoq t’ia justifikonte veprimet e tij prezantuesit dhe drejtorit artistik të festivalit, Amadeus, duke pretenduar se gjatë performancës kishte probleme me audion dhe nuk po e dëgjonte muzikën e këngës, “L’isola delle rose”.

“Nuk e dëgjoja veten në kufje. Por gjithsesi u argëtova” - tha Blanco, i cili së bashku me këngëtarin Mahmood e fituan festivalin e “Sanremos” vitin e kaluar.

Megjithëse prezantuesi ia ofroi mundësinë për të perfomuar sërish në skenë, ky propozim nga publiku i pranishëm në sallë u prit me reagime, si ulërima të vazhdueshme, fishkëllima, fyerje dhe të bërtitura. Përfundimisht, Blanco nuk u rikthye më në skenë.

Këngëtari veteran italian dhe bashkë-prezantuesi i “Sanremos”, 78-vjeçari Gianni Morandi, iu bashkua ekipit të pastrimit të skenës pas shpërthimit të Blancos, dhe u fotografua duke fshirë lulet e shkelura e të shkatërruara. Këto imazhe përfunduan duke u bërë virale online.

Gara muzikore, që konsiderohet ngjarja më e madhe e showbizit italian, po zhvillohet në qytetin bregdetar të Sanremos në bregdetin veriperëndimor të Ligurisë, me ç’rast 28 artistë që po luftojnë për çmimin kryesorë në kuadër të festivalit i cili zgjatë nga 7 deri më 11 shkurt.

Image