Showbiz

Ye dhe Kim reagojnë ndaj fushatës së papërshtatshme të markës “Balenciaga”

Ish-çifti i njohur i showbizit, Kanye West dhe Kim Kardashian, ka folur për polemikat e fundit rreth një fushate të markës “Balenciaga”, e cila shfaqte imazhe “të seksualizuara” të fëmijëve.

Javën e kaluar, disa figura kulturore e kritikuan ashpër shtëpinë e famshme të modës, kjo pasi i postuan disa fotografi të kampanjës për Krishtlindje, ku përfshiheshin fëmijë duke mbajtur në duar çantat e ariut prej pelushi, të cilat mbanin aksesorë të papërshtatshëm për fëmijë.

Menjëherë pas debateve që i shkaktoi kjo fushatë, “Balenciaga”, e largoi atë nga rrjetet sociale si dhe kërkoi falje publike.

West, i cili për vite ka punuar me brendin francez të modës, para se ta shkëpuste bashkëpunimin me reperin muajin e kaluar, për shkak të komenteve të tij antisemitike, tani është prononcuar rreth këtij gabimi të “Balenciagas”.

“Ata kanë provuar ta shkatërrojnë biznesin tim në të njëjtën kohë, dhe bota e ka parë këtë, ndërkohë që askush nuk tha asgjë. Kjo e vërteton se të famshmit janë të kontrolluar. Ti nuk sheh personalitete të showbizit duke folur për situatën e ‘Balenciagas’”, tha Ye për paparazët e mbledhur jashtë kishës “Messianic”.

Ish-gruaja e reperit amerikan, Kim Kardashian, po ashtu është deklaruar zyrtarisht rreth këtij skandali.

“Kam qëndruar e heshtur për disa ditë, jo sepse nuk kam qenë e neveritur dhe e indinjuar nga fushata e fundit e ‘Balenciagas’, por ngase doja ta kisha një mundësi për të folur me ekipin e tyre dhe për të kuptuar vetë se si mund të kishte ndodhur kjo. Si nënë e katër fëmijëve, jam tmerruar nga fotografitë shqetësuese të kësaj kampanje. Siguria e më të vegjëlve duhet të jetë prioriteti kryesor dhe çdo përpjekje për ta normalizuar abuzimin e fëmijëve, nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tone. Unë e vlerësoj heqjen e fushatës nga rrjetet sociale dhe kërkimfaljen publike nga shtëpia e modës. Duke folur me ta, besoj se do ta kuptojnë seriozitetin e çështjes dhe do të marrin masat e nevojshme që kjo të mos ndodhë më kurrë”, deklaroi Kardashian përmes postimeve në Twitter.

Tutje, themeluesja miliardere e markës “SKIMS”, shtoi se është duke e shqyrtuar bashkëpunimin e saj me “Balenciagan” në të ardhmen, dhe gjithçka varet nga gatishmëria e tyre për ta pranuar përgjegjësinë për diçka që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë, dhe veprimet të cilat pret që ata t’i ndërmarrin për t’i mbrojtur fëmijët.