Showbiz

Rita Ora kritikon mediat ngase i japin shumë vëmendje jetës së saj personale

Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Rita Ora, ka kritikuar vëmendjen e mediave për jetën e saj private, duke thënë se marrëdhëniet e meshkujve me gra të ndryshme nuk marrin të njëjtën vëmendje.

“Unë e jetoj jetën në maksimum. Jam një person shumë pasionant kur vjen puna te dashuria, por nuk e bazoj jetën tek lidhjet e mia të dashurisë”, tha këngëtarja në një intervistë të fundit me prezantuesin, Louis Theroux, e cila transmetohet të martën (29 nëntor).

Image

Ndër vite, Ora është komentuar për lidhjet romantike me disa personalitete të famshme, si Rob Kardashian, Bruno Mars, James Arthur, Calvin Harris, Andrew Watt, Ricky Hill, Andrew Garfield, Romain Gavras dhe Travis Barker, por ajo bëri thirrje që publiku të fillojë të fokusohet më shumë në të si person dhe në punën e saj.

“Shiko, ne jemi gra. Burrat nuk pyeten nëse i kanë pasur 100 të dashura apo të dashur. Nganjëherë po, por në të shumtën e rasteve kjo nuk ndodhë. Komentimi i jetës sime private vjen me territorin. Pra është pjesë e botës ku ne jetojmë, kështu që jam mësuar të jem e paragjykuar”, deklaroi Ora.

Rita po ashtu foli për bashkëshortin e saj, regjisorin nga Zelanda e Re, Taika Waititi. 

“Ai është një njeri i mrekullueshëm. Kam arritur në një pikë ku jam shumë e kënaqur dhe e rehatuar me jetën pritave”.

Ajo diskutoi edhe për ndjenjat e saj ndaj bashkëshortit, me ç’rast deklaroi se i pëlqen të jetë e dashuruar kokë e këmbë.

Mediat raportojnë se Rita tashmë e ka ndërruar mbiemrin e saj dhe njihet si zonja Waititi-Ora.

Image

Duke folur në të njëjtën intervistë, regjisori i shpërblyer me “Oscar” shpjegoi se si ata kishin një përvojë të përbashkët të fëmijërisë, duke qenë se janë rritur të varfër në familje të klasës punëtore.

“Ne vijmë nga pjesë të ndryshme të botës. Ajo është nga Kosova ndërsa unë nga Zelanda e Re. Këto dy shtete janë shumë larg nga njëra-tjetra por prejardhja jonë ishte mjaft e ngjashme”, deklaroi Waititi.

Ndër të tjera, Ora foli edhe për raportin e saj me Rihannan. Kur prezantuesi e pyeti rreth thashethemeve për një përçarje mes dy këngëtareve, Rita tha:

“Nuk mund të flas për njerëzit e tjerë, por mendoj se publikisht, mediat gjithmonë provojnë t’i vënë gratë kundër njëra-tjetrës. Unë kam qenë gjithmonë adhuruese e Rihannas dhe kisha e do të kem gjithmonë respekt për të”.

Gjatë muajit nëntor, çifti i njohur i showbizit e prezantoi së bashku ceremoninë “MTV EMA”, ku rrëmbyen vëmendje të madhe dhe u komentuan për raportin e tyre të mirë.

Të shtunën (26 nëntor), Rita e festoi ditëlindjen e 32-të me ç’rast Taika e uroi në gjuhën shqipe, duke i postuar disa fotografi të çiftit me mbishkrimin, “Gëzuar ditëlindjen zog”.