Showbiz

U mbajt ceremonia “MTV EMA”, tri shqiptare rrëmbyen çmime

Të dielën mbrëma në Düsseldorf të Gjermanisë u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve, “MTV European Music Awards”, ku u nderuan disa prej emrave më të njohur të muzikës.

Taylor Swift ishte triumfuesja kryesore e mbrëmjes duke u shpallur “Artistja më e mirë”, si dhe duke i rrëmbyer shpërblimet, “Videoklipi më i mirë”, “Kënga më e mirë pop” dhe “Videoklipi më i gjatë” për versionin 10-minutësh të hitit “All Too Well (Taylor’s Version)”.

Nicki Minaj, David Guetta, Chloe, Anita, Lisa dhe grupet “SEVENTEEN”, “BLACKPINK” dhe “BTS”, po ashtu ishin në mesin e artistëve të shpërblyer gjatë mbrëmjes.

Minaj u nderua në kategorinë “Kënga më e mirë” për hitin e saj “Super Freaky Girl”, si dhe e fitoi çmimin “Artistja më e mirë hip hop”. Guetta u nderua për bashkëpunimin e fundit me Bebe Rexhën, “I’m Good (Blue)”, duke e rrëmbyer çmimin “Bashkëpunimi më i mirë” si dhe u emërua “Artisti më i mirë i muzikës elektronike”. Harry Styles, i cili ishte ndër yjet më të nominuar të mbrëmjes, me shtatë sosh, u shpërblye në vetëm një kategori, atë “Performanca më e mirë live”. Kjo kategori u rikthye pas një pauze dyvjeçare për shkak të pandemisë

Ceremonia e sivjetme “MTV EMA” u prezantua nga çifti i njohur i showbizit, Rita Ora dhe Taika Waititi, dhe gjatë mbrëmjes në skenë performuan disa emra të shquar të muzikës, si David Guetta dhe Bebe Rexha, Ava Max, Stormzy, Lewis Capaldi, Tate McRae, Ayanna dhe Nasty, dhe grupet “Muse”, “Gorillaz”, “Thundercat” dhe grupi nga Ukraina “Kalush Orchestra”.

{gallery}

Në ceremoninë e sivjetme nuk munguan as artistet shqiptare që gëzojnë sukses mbarë botëror me muzikën e tyre. Rita Ora përveç që e bëri një punë të shkëlqyer si prezantuese e kësaj ngjarjeje, ajo po ashtu e fitoi një çmim special, “Best Look”, për stilin më të mirë personal. Bebe Rexha u nderua në kategorinë “Bashkëpunimi më i mirë”, për këngën “I’m Good (Blue)”. Ajo gjithashtu e solli një performancë elektrizuese në skenë bashkë me David Guettan.

Në mesin e performuesve ishte edhe Ava Max. Dua Lipa ishte nominuar në kategorinë “Bashkëpunimi më i mirë” për hitin e saj dhe reperes Megan Thee Stallion, “Sweetest Pie”. Kurse këngëtarja e njohur në Evropë, Loredana, u shpall “Performuesja më e mirë nga Zvicra”.

Çmimi i këtij viti “MTV EMA Generation Change” iu nda tri grave ukrainase, Lina Deshvar, Anna Kutova dhe Anfisa Yankovina, për luftën e fuqishme për drejtat e atyre që janë prekur nga kriza humanitare në atë shtet.

Ceremonia u transmetua më 13 nëntor në të gjitha kanalet e MTV-së, në më shumë 170 shtete të botës.