Ylli i muzikës pop, Taylor Swift, e ka lansuar videoklipin e këngës së dytë nga albumi i ri, “Midnights”, duke e ripërtërirë historinë klasike të Hirushes në videoprojektin e titulluar, “Bejeweled”.
Klipi, regjinë e së cilit e ka bërë vet këngëtarja, e sjell Swiftin në rolin e Hirushes. Ylli i filmave “Jurassic Park”, Laura Dern, e portretizon njerkën e saj të ligë derisa motrat, Este, Danielle dhe Alana Haim, vijnë në rolin e gjysmëmotrave të saj të llastuara. Kurse, modelja dhe valltarja burleske, Dita Von Teese, e luan rolin e zanës e cila i ndihmon Hirushes ta fitojë princin e saj, shkruan portali “NME”.
Duke e paralajmëruar lansimin e videoprojektit “Bejeweled” të ri në Instagram, Taylor e quajti atë një krijim të egër, të çuditshëm dhe i krijuar veçanërisht për fansat e saj të dashur.

Albumi i dhjetë i Swiftit i incizuar në studio, “Midnights”, u lansua të premten (21 tetor) dhe menjëherë arriti të bëhet incizimi më i shitur i vitit 2022. Ai vjen pas albumeve të incizuara gjatë pandemisë, “Folklore” dhe “Evermore”, si dhe pas albumeve të riincizuara vitin e kaluar, “Fearless” dhe “Red”.
“Bejeweled” është kënga e dytë e albumit të cilit i është realizuar videoklip, pas këngës “Anti-Hero” të lansuar të shtunën më 22 tetor. Swift ka njoftuar fansat se secila këngë do të shoqërohet me videoklip, apo siç i quan ajo “filma muzikor”, ku pritet të paraqiten yje të njohur të showbizit, si Laith Ashley, Mary Elizabeth Ellis, John Early dhe Mike Birbiglia.
Javën e kaluar, Taylor e konfirmoi lajmin se do të mbajë edhe turne me qëllim të promovimit të albumit “Midnights”, përfshirë këtu disa koncerte nëpër Britani të Madhe.
Brenda dy orëve të para të lansimit, “Bejeweled” ka arritur t’i marr më shumë se 2 milionë klikime në YouTube, derisa albumi “Midnights” pritet që të vazhdojë të thyej rekorde të transmetimit në platformat e ndryshme muzikore.