Një këngë e re e grupit legjendar, “Queen”, me vokalin e Freddie Mercuryt, është publikuar pasi kishte humbur për 34 vjet. “Face It Alone” u incizua gjatë seancave për albumin e vitit 1988, “The Miracle”, por u la papërfunduar.
Tani, ajo është rizbuluar në arkivat e bendit dhe po planifikohet të lansohet si ‘single’, shkruan portali “The Telegraph”.
“Ne e gjetëm një perlë të vogël nga Freddie që e kishim harruar disi. Dhe është e mrekullueshme”, deklaroi anëtari i bendit, Roger Taylor.
“Ky incizim ishte fshehur para syve tanë. Pasi e gjetëm, e shikuam me kujdes disa herë dhe kishim frikë se nuk do të mund ta shpëtonim. Por, në fakt, ekipi ynë i mrekullueshëm inxhinierik e bëri të pamundurën dhe e finalizoi atë. Është një këngë e bukur, emocionale dhe me plot pasion. Jam i lumtur që pas gjithë këtyre vjetëve, adhuruesit do ta dëgjojnë një këngë nga ne të katërt”, shtoi tutje Brian May.
Albumi “The Miracle” ishte lansuar në vitin 1989 dhe e përfshinte hitin, “I Want It All”. Freddie Mercury tashmë ishte diagnostikuar me sëmundjen SIDA, edhe pse ende nuk e kishte bërë publik lajmin. Ai vdiq në vitin 1991 në moshën 45-vjeçare.
Kënga e re, “Face It Alone”, do të lansohet më 18 nëntor dhe do të jetë pjesë e koleksioni me tetë disqe të titulluar, “Queen: The Miracle Collector’s Edition”.
Nuk është hera e parë që këngët e padëgjuara të “Queen” janë rilansuar për publikun. Albumi “Queen Forever” i publikuar në vitin 2014, i përfshinte tri këngët e padëgjuara më parë, “Let Me In Your Heart Again”, “Love Kills” dhe “There Must Be More To Life Than This”.