Autorja e librit origjinal “Blonde”, Joyce Carol Oates, e ka mbrojtur filmin e ri biografik në të cilin aktorja Ana de Armas e portreziton ikonën, Marilyn Monroe.
Filmi i realizuar nga Netflixi, përshkruhet si një tregim i cili e ri-imagjinon ikonën e Hollywoodit dhe i përzien ngjarjet e bazuara mbi fakte me ato të trilluara. Nga lansimi në platformën digjitale më 3 shtator, ky projekt ka shkaktuar debate të shumta në publik. Derisa disa e kanë lavdëruar performancën e de Armas, shumica e njerëzve po e konsiderojnë filmin si shfrytëzues i figurës së Monros.
Joyce Carol Oates, e cila e ka shkruar librin mbi të cilin bazohet filmi, i doli në mbrojtje krijuesve të tij.
“Unë mendoj se është një punë e mahnitshme kinematografike dhe artistike, që padyshim nuk është për të gjithë. Jam e befasuar që në epokën pas lëvizjes, #MeToo, ekspozimi i ashpër i ngacmimeve seksuale në Hollywood po interpretohet si shfrytëzim. Sigurisht se regjisori, Andrew Dominik, ka dashur ta rrëfejë historinë e Norma Jeane në mënyrën sa më të sinqertë që është e mundur”.
I think it was/is a brilliant work of cinematic art obviously not for everyone. surprising that in a post#MeToo era the stark exposure of sexual predation in Hollywood has been interpreted as "exploitation." surely Andrew Dominik meant to tell Norma Jeane's story sincerely. https://t.co/YCehGfskds
— Joyce Carol Oates (@JoyceCarolOates) September 30, 2022
Adrien Brody, i cili e në këtë projekt e portretizon bashkëshortin e Monroes, Arthur Miller, para disa javësh bëri shaka duke thënë se do të ketë polemika të shumta rreth filmit biografik, me t’u lansuar për publikun.
Duke iu përgjigjur kritikave rreth filmit, aktorja latine Ana de Armas për revistën e modës “L’officiel USA” deklaroi: “Nuk e kuptoj pse ndodhi kjo gjë. Mund t’ua përmend një numër të filmave dhe serialeve që janë shumë me eksplicite dhe përmbajnë më shumë skena seksuale se filmi ‘Blonde’. Por për ta treguar këtë histori është e rëndësishme të rrëfehen të gjitha këto momente në jetën e Marilynit, që e bënë atë të përfundojë ashtu siç bëri. Duhej të shpjegohej gjendja e saj psikike dhe emocionale. Të gjithë aktorët dhe ekipi prapa filmit ishim të vetëdijshëm se duhej të shkonim në vende të pakëndshme. Unë nuk isha e vetmja që e bëri këtë”.
Në filmin “Blonde”, i cili tashmë është kategorizuar i papërshtatshëm për personat nën moshën 18-vjeçare, po ashtu luajnë aktorët: Bobby Cannavale, Julianne Nicholson, Xavier Samuel dhe Evan Williams.