Showbiz

Common së shpejti debuton me shfaqje në “Broadway”

Reperi dhe aktori, Common, do ta shënojë debutimin në “Broadway” gjatë kësaj vjeshte, duke luajtur në shfaqjen e shpërblyer me çmimin “Pulitzer” të dramaturgut, Stephen Adly Guirgis, “Between Riverside and Crazy”.

Aktori fitues i disa çmimeve të rëndësishme në karrierën e tij, si “Oscar”, “Emmy” dhe “Grammy”, i bashkohet kastës së këtij projekti të përbërë nga aktorët, Stephen McKinley Henderson, Elizabeth Canavan, Liza Colon-Zayas, Victor Almanzar, Michael Rispoli dhe Rosal Colon.

Shfaqja përqendrohet te një ish-polic i çuditshëm, i cili zotëron një pronë në qytetin e Nju Jorkut të cilën e shndërron në një strehë për jetimët e pafat që janë bërë familja e tij zëvendësuese. Common do të luajë rolin e djalit të ish-policit, Junior, i cili sapo është liruar nga burgu.

“Between Riverside and Crazy” do të inskenohet në “Broadway” më 30 nëntor.

Common ka luajtur në filmin e nominuar me “Oscar”, “Selma”, si dhe e ka bashkëshkruar këngën “Glory” me këngëtarin, John Legend, për të cilën e rrëmbyen një çmim akademik në vitin 2015 dhe një “Grammy” një vit më vonë.

Së fundmi, reperi i shndërruar në aktor i përfundoi xhirimet e filmit të ri të regjisorit Stefon Bristol, “Breathe”, ku luan krahas yjeve, Jennifer Hudson, Milla Jovovich dhe Quvenzhane Wallis. Gjithashtu, së shpejti vjen me rol në serialin fantastiko-shkencor të platformës Apple TV+, “Wool”.