Showbiz

Tom Holland largohet nga rrjetet sociale shkaku i shëndetit mendor

Ylli i filmave “Spider-Man”, Tom Holland, e ka paralajmëruar largimin e përkohshëm nga rrjetet sociale, për ta ndihmuar shëndetin e tij mendor.

Lajmin e bëri të ditur përmes postimit të një videoje në Instagram, raportoi të hënën portali “NME”.

Të shtunën (13 gusht) aktori i famshëm britanik e ndau vendimin e tij me ndjekësit, derisa e theksoi një organizatë bamirëse që i ndihmon të rinjtë të përballen me problemet e shëndetit mendor, si dhe fondacionin e tij “The Brothers Trust”.

“Po pushoj për ca kohë nga rrjetet sociale për shkak të shëndetit tim mendor, sepse më duket që Instagrami dhe Twitteri janë shumë stimulues dhe dërrmues. Shpesh e vërej veten duke krijuar varësi dhe duke u ndikuar jashtë mase kur lexoj gjëra për mua në internet dhe, në fund të fundit, kjo është shumë e dëmshme për gjendjen time mendore. Prandaj vendosa ta bëj një hap prapa dhe t’i fshijë këto aplikacione”.

Tutje, Holland vazhdoi duke thënë se i duket e rëndësishme që në këtë postim të fundit, ta promovojë një organizatë bamirëse të cilën fondacioni i tij, “The Brothers Trust”, e sponsorizon.

“Organizata ‘Stem4’ e ka një program arsimor jashtëzakonisht inovativ. Aplikacionet pioniere, faqja e saj me këshilla klinike dhe konferencat e saj të shëndetit mendor, kontribuojnë për t’i ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë që vuajnë nga problemet mendore. Ata i kanë gjithsej katër aplikacione të cilat i ofrojnë dhe që janë plotësisht pa pagesë”, deklaroi aktori.

Pas ndarjes së detajeve të katër aplikacioneve, të cilat përfshijnë ndihmë për personat me emocione të forta dhe dëshirë për ta lënduar veten, ankth, motivim dhe mbështetje për miqtë dhe anëtarët e familjes së atyre që vuajnë nga sëmundjet mendore, Holland i inkurajoi shikuesit ta mbështesin organizatën “Stem4” dhe organizatat e tjera të ngjashme.

Fondacioni bamirës “The Brothers Trust”, të cilin aktori e themeloi bashkë me vëllezërit e tij, po ashtu është duke e shitur një bluzë në ueb faqe, me qëllim të mbledhjes së fondeve për organizatat që i dedikohen shëndetit mendor.