Showbiz

Rikthehet Iggy Azalea

Descriptive Text

Iggy Azalea e ka paralajmëruar rikthimin në muzikë, vetëm një vit pasi deklaroi se po pauzon nga skena për disa vjet.

Rep-artistja australiane e publikoi albumin e tretë të incizuar në studio, “The End Of An Era”, në gusht të vitit 2021. Pak kohë pas këtij lansimi, Azalea i shfrytëzoi rrjetet sociale për ta konfirmuar largimin nga muzika, për t’u fokusuar në projekte tjera kreative dhe gjëra të cilat i ka pasion dhe e frymëzojnë në jetë.

Por, të hënën (8 gusht) pothuajse një vit pas lansimit të albumit “The End Of An Era”, reperja e famshme e zbuloi lajmin e rikthimit.

“Para një viti isha e gatshme të largohem nga muzika sepse isha lodhur nga energjia negative që ma sillte kjo industri. Por, ajo që kam mësuar është se, edhe atëherë kur provoj t’i shikoj punët e mia, ju vazhdoni të jeni negativ dhe kureshtarë. Prandaj, nëse nuk mund të kem paqe në jetën time, atëherë nuk do të keni as ju. Unë po rikthehem. Filloni të qani e vajtoni”.

Azalea ka vazhduar të performojë live gjatë këtij vitit 2021 dhe 2022, pavarësisht njoftimit të saj për pensionim nga muzika. Ajo aktualisht po performon në kuadër të turneut të yllit latin Pitbull, “Can’t Stop Us Now”, në Amerikën e Veriut.

Nga publikimi i albumit të kaluar, rep-artistja e ka lansuar një koleksion kozmetike dhe është fokusuar në rritjen e djalit të saj dyvjeçar, Onyx, të cilin e ka me reperin Playboi Carti.