Showbiz

Drake i bashkohet grupit “Backstreet Boys” në skenë

Grupi i njohur i muzikës, “Backstreet Boys”, e pati një vizitor të veçantë në koncertin e së shtunës (2 korrik) në Toronto të Kanadasë.

Reperi shumë i dashur dhe i suksesshëm kanadez, Drake, i shoqëroi pesë anëtarët e bendit në skenë për ta performuar hitin e vitit 1999, “I Want It That Way”, raportoi të hënën portali “CNN”.

Sipas një videoje të publikuar në rrjetin social Twitter, Drake shihet duke i kënduar disa fragmente të këngës, por në pjesën më të madhe ai shfaqet duke vallëzuar, duke e nxitur turmën e entuziazmuar dhe duke e shijuar performancën e bendit nga vendi më i mirë i mundshëm, që është skena.

Ky ishte kocerti i dytë i këngëtarëve, Nick Carter, Brian Littrell, AJ McLean, Howie Dorough dhe Kevin Richardson, në qytetin e lindjes së reperit Drake dhe ishte pjesë e turneut të tyre botëror, “DNA World Tour”.

Grupi “Backstreet Boys” e filloi turneun botëror në prill të këtij viti. Edhe për dy muaj ata do të peformojnë në Amerikë dhe Kanada, para se të vazhdojnë me koncertet e planifikuara në Evropë dhe Britani të Madhe. Turneu përmbyllet në muajin nëntor.

Ndërkaq, javën e kaluar ylli i muzikës rep e publikoi albumin e shtatë të incizuar në studio. Me titull “Honestly, Nevermind”, albumi doli në shitje për publikun mbarë botëror vetëm disa orë pasi Drake e paralajmëroi atë.