Aktorja Mary Mara, e njohur për rolet në serialet, “ER” dhe “Ray Donovan”, ka vdekur në moshën 61-vjeçare. Kështu bëri të ditur menaxheri i saj, Craig Dorfman, përmes një komunikate për kanalin CNN.
“Mary ishte një prej aktoreve më të mira që i kam takuar në jetë. Ende më kujtohet kur e pash në skenë në vitin 1992, në shfaqjen ‘Mad Forest’. Ajo ishte energjike, qesharake dhe një person shumë i sinqertë. Të gjithë e donin atë dhe do të na mungojë shumë”.
Sipas raportit të lëshuar nga zyra policore e New Yorkut, të dielën (26 qershor) policët i janë përgjigjur një thirrjeje për një mbytje të mundshme në lum. Policia, zjarrfikësit dhe ndihma e shpejtë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, ku e zbuluan një grua të vdekur në lumin St. Lawrence. Hetimet fillestare sugjerojnë që viktima është mbytur teksa po notonte. Zyra e Mjekësisë Ligjore pritet ta kryejë autopsinë mbi trupin e pajetë për ta përcaktuar shkakun zyrtar të vdekjes.
Mara shquhej për disa performanca të mrekullueshme televizive dhe filmike, përfshirë këtu rolet në seriale të tilla si, “Dexter”, “The Practice” dhe “Star Trek: Enterprise”. Padyshim nga publiku i gjerë, më së miri njihej për performancat në projektet, “Nash Bridges”, “ER” dhe “Ray Donovan”.
Filmat më të njohur ku Mara ka luajtur mbesin, “Mr. Saturday Night”, “Love Potion #9” dhe projekti i saj i fundit “Break Even”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.