Është publikuar portreti i parë zyrtar i princit dhe dukeshës së Kembrixhit.
Çifti mbretëror pati mundësinë të shikonte pikturën e artistit britanik të portreteve, i vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare, Jamie Coreth, teksa u shfaq në publik të enjten, në Muzeun Fitzwilliam të Universitetit të Kembrixhit.
Është portreti i parë zyrtar i përbashkët i çiftit - dhe përfshin përdorimin e një motivi arkitekturor gjashtëkëndor që mund të shihet në ndërtesat në të gjithë Kembrixhin, raportoi Sky News të enjten.
Gjatë vizitës së tyre, William dhe Kate u takuan me Coreth dhe Lady Sibyl Marshall - gruaja e të ndjerit Sir Michael Marshall, i cili fillimisht propozoi idenë për portretin.
Coreth përshkruhet në uebsajtin e tij si "një nga artistët kryesor të portreteve britanike", i cili "përqendrohet në karakterin e të gjithëve, duke ngjallur një ndjenjë të pranisë së tyre në punën e tij".
“Ishte privilegji më i jashtëzakonshëm i jetës sime të zgjidhesha për të pikturuar këtë pikturë", ka thënë Coreth, duke shtuar se donte që portreti "të ngjallte një ndjenjë ekuilibri midis jetës së tyre publike dhe private".
“Doja t'i tregoja Lartësitë e Tyre Mbretërore në një mënyrë ku ata dukeshin të qetë dhe të arritshëm, si dhe elegantë e dinjitozë”, tha ai.
Publiku do të jetë në gjendje ta shohë portretin në Muzeun Fitzwilliam, për një periudhë fillestare prej tre vjetësh.
