Showbiz

Koncertet e Adeles në Las Vegas janë shtyrë sërish

Turneu i planifikuar i këngëtares Adele në Las Vegas, i cili pësoi shtyrje për shkak të mosmarrëveshjeve në organizim, siç duket do të vonohet edhe për ca kohë.

Në muajin shkurt, ylli i hitit “Chasing Pavements” u premtoi fansave se koncertet e shumëpritura, do të mbahen patjetër këtë vit.

Por, gazeta “The Sun” ka raportuar se disa zyrtarë të sindikatave që përfaqësojnë stafin në “Colosseum”, ku do të mbahen performancat e kantautores 34-vjeçare, e kanë konfirmuar lajmin se disa pjesëtarëve të ekipit rezident u është thënë të shkojnë në shtëpi deri në muajin shtator.

Rod Stewart pritet t’i mbajë koncertet e tij në hotelin “Caesars Palace” në datat e caktuara për këngëtaren Adele, raporton portali “Female”.

Performancat e planifikuara në Las Vegas kanë për qëllim promovimin e albumit të saj të fundit, këngët e së cilit janë inspiruar nga shkurorëzimi i kantautores. “30” u vlerësuar lartë nga kritikët dhe u bë albumi më i shitur i vitit 2021 në Britani të Madhe, vetëm gjashtë javë pas daljes në treg.

Muajin e ardhshëm, Adele pritet t’i mbajë dy koncerte në kuadër të festivalit, “British Summer Time”, që mbahet në parkun “Hyde” të Londrës.

Adele, e cila e ka djalin nëntë vjeçar Angelo James me ish-bashkëshortin Simon Konecki, tani është në lidhje dashurie me agjentin e sportit, Rich Paul. Së fundmi ajo e ka shprehur gatishmërinë për ta lindur edhe një fëmijë.

Ajo konsiderohet një nga artistet më fitimprurëse dhe shquhet për baladat muzikore të shndërruara në hite anembanë botës.