Anëtarja e grupit “Little Mix”, Perrie Edwards, është fejuar me të dashurin e saj futbollist, Alex Oxlade-Chamberlain.
Këngëtarja e bëri të ditur lajmin e gëzuar të shtunën (18 qershor), me postimin e disa fotografive nga momenti i propozimit romantik që zuri vend në një plazh.
“Mbrëmë, dashuria e jetës sime u ul në gjunjë dhe më propozoi martesë... dhe unë i thash po”, shkroi Edwards në postimin e saj.
Anëtaret tjera të grupit “Little Mix”, Jade Thirlwall dhe Leigh-Anne Pinnock, ishin ndër të parat që e uruan miken e tyre me ta bërë publik lajmin e fejesës, raporton portali “Billboard”.
Perrie Edwards dhe Alex Oxlade-Chamberlain, tashmë e kanë një fëmijë së bashku, i cili erdhi në jetë në gusht të vitit të kaluar.

Grupi “Little Mix” i përbërë nga tri vajza, Jade Thirlwall, Perrie Edwards dhe Leigh-Anne Pinnock, gjatë karrierës i ka realizuar gjithsej gjashtë albume të incizuara në studio, si dhe shquhet për disa hite, si “Secret Love Song”, “Touch”, “Little Me”, “Wings”, “DNA”, “Black Magic”, “Conffeti” dhe të tjerë. Anëtarja e katërt e grupit, Jesy Nelson, u largua nga “Little Mix” në dhjetor të vitit 2020 për shkak të shqetësimeve rreth shëndetit të saj mendor.
Projekti i fundit muzikor i publikuar nga “Little Mix” është albumi me përmbledhjen e hiteve më të mira, “Between Us”, i cili u publikua në nëntor të vitit 2021. Një muaj më vonë, tri anëtaret e grupit i informuan fansat se po planifikojnë të pushojnë pak nga muzika, por u premtuan se do të kthehen shumë shpejtë dhe me disa projekte të mrekullueshme.
