Showbiz

Heard: E dua ende Johnny Deppin

Amber Heard ka thënë se ka frikë që do të paditet sërish nga ish-bashkëshorti i saj, Johnny Depp.

Në pjesën e dytë të intervistës së parë, që nga përfundimi i gjyqit të famshëm për shpifje mes saj dhe Deppit, dhënë për NBC News, aktorja hollivudiane ka deklaruar po ashtu se e do ende Deppin, shkruan CNN-i të mërkurën.

Heard është përgjigjur “absolutisht” kur është pyetur nëse pas gjithë asaj që ka ndodhur, dhe vendimit të gjykatës në favor të Deppit, ajo e donte ende ish-bashkëshortin.

“E dua. E dua me gjithë zemër. Dhe jam munduar me gjithë shpirt që të bëjë gjithçka që ajo lidhje e thyer të funksiononte, por nuk ia arrita. Nuk kam ndjenja të këqija apo inati ndaj tij”, është shprehur Heard.

Deppi e ka paditur Heardin për shpifje duke kërkuar 50 milionë dollarë dëmshpërblim, për shkak të një op-edi të botuar nga aktorja në “Washington Post” vitin e kaluar, e në të cilin ajo e paraqiste veten si viktimë të dhunës, ndonëse në asnjë pjesë nuk e kishte përmendur Deppin për këtë.

Heardi më pas e paditi Deppin duke kërkuar 100 milionë dollarë dëmshpërblim. Ata të dy janë gjetur fajtorë për shpifje, mirëpo juria ka vendosur në favor të shumicës së akuzave të Deppit, duke i dhënë atij 10 milionë dollarë dëmshpërblim.