Ylli i kinematografisë, Matthew McConaughey, e vizitoi qytetin e tij të lindjes Uvalde në Texas, pas tragjedisë në një shkollë fillore me ç’rast një 18-vjeçar shtiu me armë zjarri dhe i la të vdekur 19 fëmijë dhe 2 mësuese.
Vizita e aktorit, i cili 12 vjetët e para të jetës i ka kaluar në këtë qytet dhe nëna e së cilit ishte mësuese në një shkollë lokale, kishte për qëllim ta ngushëllojë komunitetin, raporton portali “NME”.
Fituesi i shpërblimit “Oscar” në këtë vizitë shoqërohej nga përfaqësuesi i partisë republikane, Tony Gonzalez, dhe nuk pranoi të prononcohet për media. Atje, ai u takua me familjarët e viktimave dhe pjesëtarët e komunitetit që ka mbetur i tronditur nga kjo tragjedi.
Gonzalez, një mbështetës i zëshëm i të drejtave të posedimit të armëve, më vonë e postoi një mesazh në Twitter ku shkruhej: “Faleminderit Matthew që po ndihmon në shërimin e komunitetit tonë. Vizita jote solli shumë buzëqeshje në fytyrat e qytetarëve të Uvaldes. Shihemi së shpejti miku im”.
Menjëherë pas të shtënave me armë zjarri në shkollë, McConaughey e ndau një deklaratë në mediat sociale ku nuk e përmendi drejtpërdrejt sigurinë e armëve, por tha se “ne po dështojmë të tregohemi të përgjegjshëm për të drejtat që na ofron liria të cilën e gëzojmë”.
Uvalde, Texas, USA. pic.twitter.com/0iULRGtREm
— Matthew McConaughey (@McConaughey) May 25, 2022
Ylli i filmit “Gold” u lind në Uvalde dhe nëna e tij, Kay McCabe, kishte dhënë mësim në shkollën “St. Philip’s Episcopal School”, e cila gjendet rreth një kilometër larg shkollës fillore “Robb Elementary School”, raportoi revista “People”.
Ngjarja tragjike ndodhi të martën (24 maj), kur i riu i identifikuar si, Salvador Ramos, hyri në shkollë dhe i vrau me armë zjarri 19 nxënës dhe 2 mësuese. Ai po ashtu u vra nga policia në vendin e ngjarjes.
Disa figura publike kanë bërë thirrje për kontroll më të madh të armëve pas të shtënave masive të fundit në SHBA, përfshirë këtu yjet, Taylor Swift, Madonna, Jack White dhe Olivia Rodrigo.