Ylli amerikan Kourtney Kardashian dhe bateristi i njohur i bendit “Blink-182”, Travis Barker, e kanë mbajtur dasmën e shumëpritur në vilën historike “L’Olivetta” në Portofino të Italisë.
Ceremonia unike dhe plot stil zuri vend të dielën (22 maj) në pronën e disenjatorëve, Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana, në praninë e familjes dhe disa miqve të ngushtë. Pas dasmës tradicionale, festa vazhdoi në kështjellën e shekullit 16-të “Castello Brown”, raportoi të hënën portali “Bollywood Life”.
Kourtney dhe Travis i kanë ndarë disa fotografi nga dita më e lumtur e jetës së tyre në rrjetin social Instagram.
Po ashtu paparacët kanë arritur t’i shkrepin disa foto nga kjo ngjarje, ku shihen edhe familjarët dhe miqtë e çiftit të famshëm.
Barker dhe Kardashian e bënë publike lidhjen vitin e kaluar në Ditën e të Dashuruarve, ndërsa u fejuan në muajin tetor në Montecito të Kalifornisë. Bateristi i grupit “Blink-182” u tregua mjaft romantik duke i propozuar në një ambient të ngrohtë në plazh, të rrethuar nga buqetat me qindra trëndafila të kuq me ç’rast i gjunjëzuar i kërkoi të bëhet gruaja e tij dhe ia prezantoi një unazë të mrekullueshme diamanti.
42-vjeçarja Kardashian është nënë e 3 fëmijëve të cilët i ka nga lidhja me Scott Disick, kurse 45-vjeçari Barker i ka 2 fëmijë tashmë të rritur me ish-bashkëshorten, Shanna Moakler.
{gallery}