Showbiz

Amber Heard e akuzon Deppin për dhunë fizike në dëshminë e parë para gjykatës

Aktorja Amber Heard e ka përshkruar rastin e parë kur sipas saj, ish-bashkëshorti, aktori Johny Depp, e ka goditur atë me shuplakë, në seancën gjyqësore që është mbajtur të mërkurën në Virxhinia të SHBA-së.

Heard ka deklaruar gjatë dëshmisë së saj se ky ishte momenti që ia ka ndryshuar jetën, raportoi BBC-ja, transmeton Koha.net.

“Unë isha ulur në divan, ishim duke bërë një bisedë normale, nuk kishte asnjë grindje, nuk kishte asgjë. E pyeta për tatuazhin që ka në krah, më dukej si pika të zeza dhe e pyeta se çfarë thoshte – mendova se më tha ‘Wino’. Qesha sepse mendova se po bënte shaka dhe më goditi me shuplakë në fytyrë. Dhe unë qesha, sepse mendova 'kjo duhet të jetë një shaka' - nuk e dija se çfarë po ndodhte. Unë thjesht e shikova atë, disi duke qeshur, ende duke menduar se ai do të fillonte të qeshte dhe do të më thoshte se ishte një shaka. Mirëpo ai tha: Ti mendon se është qesharake?. Ishte e qartë se nuk ishte më një shaka. Unë pushova së qeshuri, por nuk dija çfarë të bëja tjetër”, ka thënë Heard.

Heard ka thënë se pasi Depp e goditi prapë.

Pas incidentit, Heard ka thënë se ka marrë telefonata dhe mesazhe nga Depp ku i kërkonte falje. Ajo ka shtuar se Deppi i tha asaj se ai "vrau ​​atë përbindësh" dhe se "Nuk do të vë kurrë më dorën mbi ty".

Heard ka thënë gjatë dëshmisë se ajo vazhdoi të qëndronte në lidhje, por Depp filloi të pinte përsëri dhe filloi të vinte në shtëpinë e saj në mes të natës, siç ka thënë "për ta zënë" atë duke tradhtuar.

"Ai filloi t’i godiste muret pranë kokës sime”, ka deklaruar Heard, duke shtuar se dhuna u përshkallëzua "deri në pikën që më shtyri dhe më rrëzoi".

Gjatë gjithë dëshmisë së Heardit të mërkurën, Depp asnjëherë nuk e ka ngritur kokën për ta shikuar ish-bashkëshorten, të cilën e ka paditur për shpifje. Padia ka ardhur pas publikimit të një shkrimi nga Heard në Washington Post, ku deklaronte se ishte viktimë e abuzimit në familje.

Dëshmia e Heardit të mërkurën vjen pasi një psikolog i punësuar nga avokatët e saj, tha se Heard vuan nga çrregullimi i stresit post-traumatik nga aktet e shumta të abuzimit, përfshirë dhunën seksuale, të shkaktuar ndaj saj nga aktori Depp.

Depp dhe Heard u takuan në xhirimet e "The Rum Diary" në vitin 2011, u martuan katër vjet më vonë - më pas u ndanë pas një viti, mes një morie akuzash për dhunë në familje dhe titujve të tabloideve.

Pas përfundimit të divorcit të tyre në fillim të vitit 2017, Heard publikoi një shkrim në dhjetor të vitit 2018, me titull: "Unë u bëra një figurë publike që përfaqësonte abuzimin në familje”.

Artikulli e shtyri Deppin të paraqiste padi për shpifje ndaj saj duke deklaruar: Znj. Heard nuk është viktimë e abuzimit në familje, ajo është autore.

{gallery}