Showbiz

Will Smith po i ndien pasojat e “shuplakës”, platformat heqin dorë nga projekti i tij

Foto: AP/Associated Press

Ceremonia e sivjetme “Oscar” është padyshim një prej ngjarjeve që nuk do të harrohen kurrë, qoftë për faktin se për herë të parë në histori, çmimi kryesor shkoi për filmin e një platformë digjitale, qoftë për incidentin e pahijshëm, ku aktori Will Smith i mëshoi shuplakë komedianit Chris Rock, që ishte edhe moderator i ngjarjes.

Por pasojat e shuplakës së papritur nuk ishin të mira për Will Smithin, pasi platforma digjitale Apple TV+ thuhet se hodhi poshtë ofertat për filmin biografik të aktorit.

Siç raportoi të martën gazeta “The Sun”, platformat Netflix dhe Apple TV+ ishin të interesuara për t’i siguruar të drejtat e realizimit të filmit të ardhshëm të Will Smithit, i cili bazohet në librin biografik best-seller të aktorit.

Sidoqoftë, pas ngjarjes së pahijshme që ndodhi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve akademike, te dyja kompanitë gjigante që shquhen për prodhimin e disa prej filmave dhe serialeve më të mira të viteve të fundit, i kanë tërhequr pa bërë zhurmë ofertat e tyre në lidhje me projektin e Smithit.

Në vend të kësaj, këto platforma do t’i zhvendosin fondet për të zhvilluar ide origjinale nga aktorë të rinj afro-amerikanë, si Mike Epps dhe Michael B. Jordan.

Nuk dihet nëse këto raportime vijnë nga burime të besueshme, por kompania “Apple” shquhet për faktin se nuk dëshiron të shoqërohet me persona kontrovers dhe polemika.

Will Smith, luan në filmin e ardhshëm të platformës Apple TV+, “Emancipation”, i cili tashmë është xhiruar dhe pritet ta shënojë premierën në fund të këtij viti. Por, ende nuk është bërë e ditur se çfarë do të ndodhë saktë me këtë projekt, pas incidentit famëkeq.

Si përfundim, në Hollywood për momentin, bashkëpunimi me Will Smithin është bërë një biznes i rrezikshëm.