Ylli televiziv, Kylie Jenner, megjithëse në muajt e fundit nuk ka qenë shumë aktive në rrjetet sociale, të hënën mbrëma, bëri bujë me një postim përmes së cilit la të nënkuptohet se, ajo dhe Travis Scott, kanë vendosur t’ia ndërrojnë emrin djalit të tyre të vogël.
Çifti i njohur i showbizit e kishte pagëzuar fëmijën e dytë, Wolf Webster, por tani Jenner zbuloi se ky nuk është më emri i djalit të saj.
“Sa për informacion, emri i djalit tonë më nuk është Wolf. Thjeshtë nuk na dukej se i përshtatej ky emër. Doja ta ndaja këtë informatë me të gjithë ju”, thuhet në postimin e Jennerit në “Instagram Story”.

Afaristja miliardere ende nuk e ka zbuluar emrin e ri të foshnjës.
Kylie Jenner dhe partneri i saj, reperi Travis Scott, së bashku e kanë edhe vajzën 4-vjeçare, Stormi.
Dyshja e famshme e bëri të ditur lajmin e ndërrimit të emrit të djalit pak orë pas publikimit të një videoje personale, e cila ua mundëson fansave të tyre, që t’i shohin të përmbledhura disa prej momenteve më të bukura dhe intime të shtatzënisë së dytë të yllit 24-vjeçar, e deri tek ardhja në jetë e foshnjës.
Videoja e cila zgjat pothuajse 10 minuta është postuar në YouTube, ku për vetëm 16 orë i ka marrë më shumë se 10 milionë klikime dhe po vazhdon të jetë videoja më e shikuar në këtë platformë.