Katër muaj pas tragjedisë që ndodhi në festivalin Astroworld në Houston, ku mbetën të vdekur 10 persona, reperi i famshëm amerikan, Travis Scott, e ka paralajmëruar një iniciativë të re të quajtur “Project HEAL” përmes fondacionit të tij, “Cactus Jack Foundation”, dhe përmes së cilës do t’i dhurojë 5 milionë dollarë për komunitetet.
Sipas një përshkrimi në uebfaqe, “Project HEAL” është një iniciativë me shumë nivele e dedikuar për adresimin e sfidave me të cilat përballen të rinjtë e sotëm, veçanërisht ata nga komunitetet e margjinalizuara dhe të rrezikuara. Iniciativat që do të financohen përmes projektit përfshijnë bursa akademike, burime të shëndetit mendor, një qendër dizajni krijues dhe të tjerë.
“Gjatë muajve të fundit i kam dhënë vetes kohë dhe hapësirë për ta kaluar pikëllimin, për të reflektuar dhe për ta dhënë kontributin tim për ta shëruar komunitetin. Më e rëndësishmja, unë dua të përdor burimet dhe platformën time për të ecur përpara drejt ndryshimit të zbatueshëm. Ky do të jetë një rrugëtim i përjetshëm për mua dhe familjen time. Ndërsa është e lehtë për korporatat dhe institucionet të qëndrojnë në hije, unë mendoj që si një lider në komunitetin tim, më duhet të angazhohem në kohë nevoje. Bashkë me ekipin tim e krijuam iniciativën ‘Project HEAL’ për të ndërmarrë veprime shumë të nevojshme drejt gjetjes së zgjidhjeve reale, për ta bërë organizimin e ngjarje të ndryshme sa më të sigurt.
Unë gjithmonë do t’i nderoj viktimat e tragjedisë së ‘Astroworld’ që janë mbetur përgjithmonë në zemrën time. Të dhurosh dhe të krijosh mundësi për të rinjtë është diçka që e kam bërë gjithmonë dhe do të vazhdoj ta bëj për sa kohë të kem mundësi,” deklaroi Scott në Instagram.
Dhjetë njerëz vdiqën dhe qindra të tjerë u lënduan si rezultat i incidentit brenda turmës së njerëzve që po e ndiqnin koncertin e Scottit, në kuadër të festivalit “Astroworld” në nëntor të vitit të kaluar.
Një muaj pas incidentit, shkaktari i vdekjes për dhjetë viktimat u vendos si asfiksi aksidentale si pasojë e shtypjes.
Travis Scott i cili i ka fëmijët Storni dhe Wolf me të dashurën, Kylie Jenner, tani po përballet me disa padi ligjore të ngritura kundër tij, bashkë me kompaninë “Live Nation” që merret me organizimin e koncerteve dhe persona të tjerë të përfshirë në përgatitjen e “Astroworld”. Në njërin rast gjyqësor, reperi akuzohet për neglizhencë dhe ballafaqohet me padi në vlerë prej 2 miliardë dollarësh.
Në intervistën e parë pas kësaj tragjedie e cila zuri vend në dhjetor të vitit të kaluar, Scott deklaroi: “Adhuruesit e mi vijnë në koncerte për ta pasur eksperiencë të bukur dhe unë e kam për detyrë ta zbuloj se çfarë ka ndodhur saktësisht. Është përgjegjësia ime ta gjej një zgjidhje”.
Të afërmit e viktimave reaguan menjëherë pas publikimit të intervistës, duke folur kundër reperit dhe deklaratave të tij, me ç’rast argumentuan se ai thjesht po e hidhte fajin diku tjetër.