Showbiz

Ariel Winter do ta zëvendësojë Demi Lovaton në serialin e ri “Hungry”

Foto: AP/Associated Press

Ylli i serialit “Modern Family”, Ariel Winter, do ta zëvendësojë këngëtaren dhe aktoren, Demi Lovato, në serialin e ardhshëm të titulluar “Hungry”.

Winter është angazhuar me rol në serialin e kanalit NBC, ku fillimisht ishte angazhuar 29-vjeçarja Lovato, por për shkak të konflikteve me orarin u detyrua të heq dorë nga ky projekt, vetëm një javë para se të fillonin xhirimet.

Demi do të vazhdojë të jetë pjesë e serialit, por në rolin e producentes ekzekutive. Edhe menaxheri i yllit të hitit “Sorry Not Sorry”, Scooter Braun, do të shërbej si producent i këtij shou televiziv.

“Hungry” e rrëfen historinë e disa miqve të cilët i lidhë anëtarësimi i tyre në një grup mbështetës për personat që kanë probleme me ushqimin, si dhe i sjell në ekran rrugëtimet e tyre në kërkim të dashurisë, suksesit dhe ushqimeve që i bëjnë ata t’i harrojnë të gjitha problemet në jetë.

Krahas 24-vjeçares Ariel Winter, në serialin i cili vjen me skenar të Suzanne Martinit dhe regji të James Burrows, po ashtu luajnë aktorët: Valerie Bertinelli, Gabriel “Fluffy” Iglesias, Ryan McPartlin, Alex Brightman dhe Ashley D. Kelley.

Ende nuk ka datë të caktuar të lansimit të serialit për publikun e gjerë.

{gallery}