Si u zhvilluan marrëdhëniet mes shqiptarëve të mbetur në Jugosllavi dhe shqiptarëve të Shqipërisë, si u mundësuan shkëmbimet kulturore, si përfunduan në burgje ata që shpresonin të gjenin “parajsën shqiptare”? Këtyre pyetjeve rreket t’iu përgjigjet filmi dokumentar “Kufiri i kuq - Të huaj mes t’vetëve”. Këtij filmi duhet dëshiruar shumë shikuese e shikues në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarë, përfshirë diasporën. Autorët kanë bërë një punë e vyer për të dokumentuar një segment të rëndësishëm të historisë ndërshqiptare.
Në vitin 1946 politikani britanik, Winston Churchill, kryeministër mes viteve 1940-45, foli për herë të parë mbi Perden e Hekurt që betonoi ndarjen e Europës midis vendeve komuniste dhe atyre demokratike. Afërsisht në atë kohë një Perde tjetër e Hekurt u vendos mes shqiptarëve të mbetur në Jugosllavi dhe Shqipërisë, ku një grusht komunistësh me mbështetje masive nga Beogradi nisi rrugëtimin drejt vendosjes së themeleve të një diktature brutale me tipare koreanoveriore.
Më 1946, në kulmin e vëllazërisë së komunistëve shqiptarë me ata jugosllavë, diktatori i ri Enver Hoxha tha: “Jugosllavia demokratike është më e avancuar, më e përparuar se ne. Interesi ynë është që ajo të jetë e fortë, se me një Jugosllavi të fortë do të ketë demokraci në Ballkan. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresiste”.
Ndonëse më 1948 Enver Hoxha dhe lideri komunist jugosllav Josip Broz Tito i ndanë rrugët - i pari i qëndroi besnik diktatorit sovjetik Stalin, i dyti e kundërshtoi atë -, Enver Hoxha e ruajti respektin për Titon, siç e dëshmoi e veja e tij Nexhmije Hoxha në një intervistë me revistën gjermane “Der Spiegel” më 2004: “Ndonëse më vonë Tito u bë kryearmiku ynë ideologjik, burri im (Enver Hoxha, v.j.) e respektonte atë si faktor stabiliteti në Ballkan. Kur Tito u sëmur për vdekje, Enveri më befasoi me këto fjalë: ‘Kam pasur dëshirë që ai të jetonte edhe disa vite’”. Gjatë sundimit të tij Enver Hoxha iu përmbajt porosisë që ia kishte dhënë Stalini më 1949 gjatë një takimi në Sukumi pranë Detit të Zi: “Çështja e Kosovës duhet të lihet në plan të dytë dhe nga ana juaj të mos vihet në plan të parë”.
Për të mbrojtur regjimin e tij, Hoxha mund të llogariste në mbështetje nga Jugosllavia. “Shqipnia e Veriut ka mbetë reaksionare dhe ta bashkosh Kosovën me Shqipninë e Veriut do të thotë ta mbysish me lehtësi Luftën Nacional Çlirimtare dhe Qeverinë e Enver Hoxhës”, deklaroi Predrag Ajtiqi në të ashtuquajturën Konferencë e Prizrenit (mars 1945), ku “u vendos” që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë. Ajtiq ka qenë funksionar komunist jugosllav dhe serb i Prizrenit. Në korrik të vitit 1954 Ajtiq u emërua ambasador i Jugosllavisë në Tiranë. Regjimi i Hoxhës nuk pati asnjë vërejtje ndaj tij.
Kështu ishte “politika e lartë”.
E si ishte jeta e përditshme, si ishin dhe si u zhvilluan marrëdhëniet mes shqiptarëve të mbetur në Jugosllavi dhe shqiptarëve të Shqipërisë, si u mundësuan shkëmbimet kulturore? Këtyre pyetjeve rreket t’iu përgjigjet filmi dokumentar “Kufiri i kuq - Të huaj mes t’vetëve” me skenar të Admirina Peçit dhe regji të Rezart Shehut. Këtij filmi duhet dëshiruar shumë shikuese e shikues në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarë, përfshirë diasporën. Shumëçka mund të mësohet prej tij.
Më 1955 në Tiranë u arrestua një grup liceistësh për shkak se guxuan të përkrahnin hapur Kosovën si pjesë të Shqipërisë etnike. I inspiruar nga kjo ngjarje poeti Arshi Pipa shkroi poezinë “Kosova”, ku që në strofën e parë përshkruhet zymtësia që imponoi regjimi komunist në Shqipëri: “Vllazën shqiptarë, Kosova s’asht e jona. / Kush me e përmendë guzon ai ban trathti! / O kob qi s’do t’harrohet kurr tevona! / Kosova e ngratë dergjet e vdes n’robni”.
Se çfarë do të thoshte kjo në përditshmëri e tregon shkrimtari Primo Shllaku. Mesazhi i Beogradit në drejtim të Tiranës, sipas tij, ishte ky: ne nuk përzihemi në punët tuaja, ju mos u përzieni në punët tona (lexo: në çështjen e pazgjidhur të Kosovës). Kështu, shton Shllaku, u nda historia mes dy pjesëve të një kombi.
Por lidhjet s’mund të këputeshin. Kishte njerëz në Kosovë që rrezikonin, kalonin telat me gjemba në kufi dhe shkonin në Shqipëri me pritje të mëdha. Kritiku Behar Gjoka përmend në film disa personalitete nga Kosova që me ardhjen e tyre në Shqipëri si të thuash me vetë praninë e tyre i dëshmuan shoqërisë shqiptare se matanë Vermoshit, Kukësit dhe Pogradecit jetonin po ashtu shqiptarë.
Shumë prej tyre shiheshin me dyshim nga regjimi dhe funksionarët e kulturës në Tiranë. Gjuhëtari Selman Riza përfundoi në burg si në Jugosllavi ashtu edhe në Shqipëri. Mbi këtë rrugë të vështirë të Rizës, profesor Rexhep Ismajli ka shkruar një punim brilant (“Pasionet dhe pësimet e Selman Rizës”, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, 2009). Agim Gjakova ishte autor me talent dhe, sipas Behar Gjokës, ai përmendej bashkë me Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Fatos Arapin - “por atë e ndiqte hija e ardhjes”. E ardhjes nga Kosova. Kjo ishte një lloj damke.
Një çmim shumë të shtrenjtë e pagoi edhe Sadri Ahmeti, më vonë një piktor i njohur. Më 1957 ai u arratis nga Mali i Zi në Shqipëri, bashkë me tre vëllezërit e tij. Nuk e gjeti parajsën e imagjinuar, por burgun. Për një muaj u mbajt i izoluar dhe nën presion për të pranuar se është agjent i shërbimeve jugosllave. U dërgua në një kamp në Llakatund të Vlorës. Kur, më në fund, iu dha e drejta për të studiuar, prapë Sigurimi famëkeq nuk e la të qetë. I kërkuan të shkruajë 70 faqe kundër shokëve të tij. Sadri Ahmeti, me prejardhje nga Vuthaj, i dorëzoi 70 faqe pa asnjë shkronjë në të. E arrestuan sërish “njeriun që vetëm buzëqeshte” (siç dëshmon në film Behar Gjoka).
Mbresëlënëse është edhe dëshmia e shkrimtarit Nazmi Rrahmani, i cili me dekada drejtoi botimet e ndërmarrjes “Rilindja” të Kosovës dhe ndërtoi urat e para të bashkëpunimit kulturor mes Prishtinës dhe Tiranës. Duket e pabesueshme sa shumë vjet kaluan derisa regjimi komunist në Tiranë lejoi botimin e librave të autorëve nga Kosova. Tek më 1970, pra 25 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, dolën në Tiranë romani “Malësorja” i Nazmi Rrahmanit dhe një vëllim me poezi me titullin “Për ty”. Këto janë dy veprat e para të shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës që panë dritën e botimit në Tiranë.
Në atë kohë “Rilindja”, sipas Nazmi Rrahmanit, importonte rreth 50 libra në vit nga Tirana me 1000 deri 5000 kopje. Shqipëria ishte shumë restriktive dhe importonte pak libra nga Kosova. Dyshimi ishte i madh, sidomos ndaj shkrimtarëve si Anton Pashku, të cilët etiketoheshin si dekadentë që shkruanin “vargje të paqarta” (sipas një dokumenti të censorëve komunistë të Shqipërisë).
Bashkë me një grup autorësh të rinj, Pashku i shpalli luftë realizmit socialist nëpërmjet një manifesti të botuar më 1971. I ndikuar nga letërsia franceze e sidomos nga përfaqësuesit të antiromanit si Nathalie Sarraute, André Gide, Alain Robbe-Grillet dhe Michel Butor, Anton Pashku shkroi romanin “Oh”, një përpjekje për ta lidhur letërsinë shqiptare me trendet letrare të Europës perëndimore. Jo vetëm ky eksperiment letrar i pengonte censorët në Tiranë. Nuk shihej me sy të mirë as të shkruarit në gegnisht, siç e kishte praktikuar Anton Pashku te romani “Oh”.
Më 1973 në Shqipëri mori fund faza shumë e shkurtër e liberalizmit në fushën e kulturës. Gjatë vizitës në Tiranë Nazmi Rrahmani vëren me tronditje se “njerëzit nuk dëshironin të takoheshin”, ata nga frika e devijonin rrugën kur shihnin autorë nga Kosova. Shqipëria vendosi të thellojë raportet me Kinën dhe të zgjerojë revolucionin kulturor sipas modelit kinez. Kjo zgjati deri më 1978, kur Kina dha sinjale se dëshironte të afrohej me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në dhjetor të atij viti u paralajmërua vizita e liderit komunist kinez, Teng Hsiao-ping, në SHBA. Në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit 1979 Teng Hsiao-ping vizitoi Washingtonin dhe disa shtete amerikane. Në Atlanta kryekomunisti kinez vizitoi fabrikën e Coca Colas dhe nënshkroi një marrëveshje për t’i lejuar kompanisë së famshme amerikane hyrjen në tregun kinez. Enver Hoxha e quante tradhti ndaj komunizmit kursin e ri politik të Teng Hsiao-pingut. Këtu mori fund “vëllazëria shqiptaro-kineze”. Tani Enver Hoxha, kundërshtari i madh i kapitalizmit dhe Coca Colas, vendosi të luajë rolin e nacionalistit. Më 1979 Kosovën e vizitoi shkrimtari i njohur Ismail Kadare. Në prill të atij viti Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar nisi një turne 17-ditor nëpër Kosovë. Dejanira Cara, violonçeliste, e kujton këtë udhëtim në filmin “Kufiri i kuq - Të huaj mes t’vetëve”. Rrëfimi i saj shpalos një botë që nga këndvështrimi i sotëm duket surrealist. Në Prishtinë Dejanira Carës i bëri përshtypje nata e bukur, qyteti gjithë drita, “Tirana në atë kohë ishte errësirë”, thotë ajo. Pastaj Cara përshkruan ambientin në Hotelin Grand, në atë kohë një godinë që duhej të simbolizonte modernizmin e Kosovës. “Ishte një banak i madh (në Hotelin Grand), s’kishim parë ndonjëherë, vetëm në filma, s’e mendonim se mund të ketë edhe në Kosovë”, tregon Dejanira Cara. Kur artistët ishin nisur nga Tirana, ata kërkuan të blejnë pemë për rrugë, por “s’kishte asgjë”: “Dyqani afër Grandit kishte peme, perime, banane, që ne nuk i kishim parë ndonjëherë”.
Këto dëshmi janë të vlefshme jo për të ilustruar gjoja epërsinë e njërës apo palës tjetër, por për të shpalosur një botë në të cilën jetonin shqiptarët në Ballkan në atë kohë - një botë me kufij, me pengesa, me varfëri, me shtypje. Disa protagonistë në film nuk mund t’i ikin patetizmave apo rrëfimeve anekdotike pa fakte, por në tërësinë e tij filmi “Kufiri i kuq - Të huaj mes t’vetëve” është një punë e vyer për të dokumentuar një segment të rëndësishëm të historisë ndërshqiptare.