Yjet e kinematografisë, Brad Pitt dhe George Clooney, kanë pranuar t’u zvogëlohet pagesa për filmin e tyre të ardhshëm, në mënyrë që të siguroheshin se do të lansohet nëpër kinema.
Dyshja e famshme e Hollywoodit ka punuar së bashku edhe në filmat e kaluar, si “Oceans Eleven” dhe “Burn After Reading”, ndërsa tani janë ribashkuar për një film të ri titulli i së cilit nuk është zbuluar ende për publikun e gjerë.
Projekti i zhanrit triler i cili vjen i drejtuar nga regjisori i filmit “Spider Man: No Way Home”, Jon Watts, ishte blertë nga platforma “Apple TV+” pas një gare të fuqishme mes platformash të ndryshme. Ai përshkruhet si tregim i dy vrasësve profesionist të cilëve u caktohet e njëjta detyrë.
Në një intervistë të fundit për portalin “Deadline”, Clooney zbuloi se ai dhe Pitt kishin pranuar t’u zvogëlohet pagesa për rolet e tyre në film, kjo pasi beson se projektet kinematografike mund të shfaqen nëpër kinema dhe në platforma digjitale njëkohësisht.
“Ishte një përvojë emocionuese sepse përfundoi duke u zhvilluar një garë e çuditshme ofertash që ndodhin rrallë në industrinë e filmit. Gara përfundoi duke u bërë shumë ekstreme dhe platforma ‘Apple’ na e bëri një ofertë marramendëse të të hollave mua dhe Bradit. Por, ne deklaruam se ishim të gatshëm të pranonim pagë më të vogël nëse na garantohej se filmi do të lansohej edhe nëpër kinema, gjë që ata e pranuan me kënaqësi. Unë vërtetë mendoj se ekziston një mënyrë që të gjithë të bashkëjetojmë. Mendoj se ka shumë filma që është argëtuese t’i shikosh edhe në ekran të madh. Projekti të cilin po e realizoj me Julia Robertsin është një komedi e cila vjen e realizuar nga studioja ‘Universal Pictures’, dhe filmat e këtij zhanri është argëtuese t’i shikosh në kinema në shoqërinë e shumë njerëzve”, deklaroi aktori.
George Clooney së fundmi e ka bërë regjinë e filmit “The Tender Bar” ku luan miku i tij, Ben Affleck, dhe filmit “The Midnight Sky” në të cilin edhe luan dhe që pritet të shfaqet në platformën Netflix.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.